Lajme

Princeshë Latifa: Babai po më mban peng


Princesha Latifa Al Maktoum, vajza e udhëheqësit të Dubait, u ka dërguar miqve të saj një video ku akuzon të atin se po e mban peng.

Latifa, e cila u përpoq të ikte nga vendi në 2018-ën, por u kthye me forcë, ka përdorur një telefon për të dërguar një seri mesazhesh sekrete. Ajo ka pretenduar se po mbahej peng në një vilë të mbyllur e rrethuar nga policia.

Videot janë gjetur nga rrjeti televiziv BBC dhe u transmetuan të martën në mbrëmje, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Nëse jeni duke parë këtë video, nuk është një gjë aq e mirë, ose unë kam vdekur ose jam në një situatë shumë, shumë, shumë të keqe”, tha ajo në atë pamje, e cila shkaktoi shqetësim ndërkombëtar.

Një fushatë po mbahet në Dubai për lirimin e saj. Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë më parë se Latifa, është e sigurt dhe e lumtur me familjen e saj.

Princesha e Dubait

Videot e reja përfshijnë rrëfimin se si dështoi përpjekja e saj për të ikur në janar të 2018-ës.

Në një operacion të planifikuar me një biznesmen francez dhe mikun e saj të arteve marciale, Latifa mori një gomone nga bregu i Dubait.

Tetë ditë më vonë, në brigjet perëndimore të Indisë, gomonia u sulmua nga forcat speciale, të cilët përdorën granata tymi për ta detyruar Latifa-n të zbriste.

Në pamjet e reja, të regjistruara më shumë se një vit pasi Latifa u kthye, ajo tregon luftën me ushtarët në anije.

Babai i saj është Sheik Mohammed bin Rashid al-Maktoum, sundimtari i Dubait dhe nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo është e dyta nga 25 fëmijët e tij, që përpiqet të largohen nga familja. Të gjithë kanë të njëjtin fat, rikthehen dhe zhduken.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore