Sport

Primeira Liga, e shtuna sjellë derbin historik mes Sporting-ut dhe Porto-s


Një duel interesant do të luhet të shtunën në Primeira Liga ose Liga Portugal Bwin, që sipas UEFA, tashmë është liga e pestë më e fortë në Evropë, duke lënë pas Ligue 1 franceze.

Kampionët në fuqi, Sporting-u do të përballet me Porto-n, duke filluar nga ora 21:30 në stadiumin “Jose Alvalade” në Lisbonë.

Dy skuadrat ndajnë statistika të barabarta në katër ndeshjet e para në Primeira Liga. Tre fitore, një barazim, tetë gola të shënuar dhe dy të pesuar, si dhe 10 pikë në renditje për secilën skuadër. Vetëm Benfica ka bërë më mirë, pasi ka 12 pikë të plota.

Përballja e fundit mes tyre ishte në shkurt të 2021 e përfunduar në barazim pa gola. Sfida e fundit në këtë stadium ishte në janar të 2021, e fituar 2-1 nga vendasit e Sporting-ut.

Kjo do të jetë ndeshja e 175 që dy skuadrat përballen me njëra-tjetrën në ligën kryesore të futbollit portugez. Në ndeshjet e mëparëshme, Sporting-u numëron 59 fitore, Porto 68 fitore dhe 47 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Ndeshjet e tjera që do të luhen të shtunën në Primeira Liga janë: Santa Clara – Benfica në orën 16:30 dhe Pacos de Ferreira – Braga, në orën 19:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore