Shqipëria

Primare për partinë, por jo për gratë demokrate


Primaret e Partisë Demokratike të mbyllura të dielën ishin risi për sistemin shqiptar dhe në thelb për vetë forcën e djathtë politike.

Kandidatët për zgjedhjet vendore janë gati për 14 majin.

Ashtu siç pati deklaruar kryedemokrati Sali Berisha, për primare aplikantë ishin mbi 200 personalitete nga politika dhe jo vetëm.

E megjithatë, pati mungesa. Kësaj here të grave. Në listat e paraqitura kishte një numër të kufizuar të tyre si kandidate dhe një numër akoma më të kufizuar si fituese.

Këto shifra jofavorizuese nuk janë hasur për herë të parë vetëm në primaret e zhvilluara për zgjedhjet vendore.

Aktivistja Edlira Çepani në një prononcim për Albanian Post ravijëzoi se bazuar në studime që tregojnë përfaqësimin e grave në politikë, rezulton se në Shqipëri, Partia Demokratike ka qenë në të gjitha proceset zgjedhore në nivele më të ulëta të përfaqësimit të grave dhe vajzave.

Parë në nivel të përgjithshëm, nga 140 deputetë të Kuvendit 50 prej tyre janë gra. Por, përsëri jo në favor të demokratëve, pasi nga 50 vetëm 36% i përket spektrit të djathtë.

Edlira Çepani, aktiviste

Në një raport të publikuar ku Çepani është bashkëautore bëhet me dije se përfaqësueset politike të grave të spektrit të djathtë hasin barriera domethënëse në politikë.

“Realiteti është se gratë në partitë e majta zakonisht janë përfaqësuar në një numër më të madh dhe janë prirur të jenë më aktive veçanërisht në lidhje me çështje sociale apo lëvizje feministe, ndërsa gratë në partitë e krahut të djathtë mbeten të nën-përfaqësuara dhe ndonjëherë konsiderohen si të veçuara nga këto lëvizje”.

Dhe për tu kthyer në çështjen e zgjedhjeve lokale, aktivistja konfirmon se disbalanca burra-gra sjell më pak përfaqësim, më pak vota dhe më pak integritet gjinor të politikave.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që gratë dhe vajzat kandidate nuk duhet të vendosen si kandidate për të mbushur kuotat apo përfaqësimin gjinor numerik, por përmes një procesi të identifikimit të vlerave brenda partive”.

Sfondi i ofruar ka dhe nota pozitive. Kjo e parë në kohë.

Siç kanë deklaruar zyrtarë të ndryshëm sfidat e pengesat me të cilat përballen gratë në rrugën e angazhimit publik apo politik janë të shumta dhe në përgjithësi janë sfida të ngjashme me ato që gratë në të gjithë botën përballen.

Gjithsesi, në rajonin tonë mund të ketë edhe specifika për shkak të historisë, kulturës, nivelit të zhvillimit ekonomik e social.

Me Tiranën në balotazh, përmbyllen primaret e PD-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore