Lajme

Price: Autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve të strehuar në Kosovë


Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Ned Price.

Zëdhënësi i Departamentit të shtetit amerikan, Ned Price deklaroi se autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve përkohësisht të strehuar në Kosovë, para se t’u lejohet vendosja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë vend të tretë.

Gjatë takimit me gazetarët ai u pyet rreth statusit të qytetarëve afganë që janë strehuar në Kosovë.

“Disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”, deklaroi Price për Zërin e Amerikës.

Ai ritheksoi mirënjohjen për qeverinë e Kosovës, ndërsa nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit, ndërkohë që po vazhdon verifikimi i tyre.

Po ashtu, një numër i madh i të strehuarve në Kosovë janë larguar, me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt SHBA-ve.

Afganet gjatë largimit të tyre nga Kosova.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur përmes rrjetit social Tëitter se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë tashmë janë nisur drejt SHBA-së.

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Ndërsa, më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

117 afganë nisen nga Kosova për në Britaninë e Madhe

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore