Sport

Prezantuesja largohet papritur nga transmetimi live gjatë ndeshjes Danimarkë-Tunizi


Prezantuesja Nadia Nadim u largua papritur nga transmetimi i drejtpërdrejt i ndeshjes Danimarkë-Tunizi të Botërorit 2022, në kanalin britanik “ITV”.

Për largimin e papritur, ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

Por pas 24 orëve u zbulua se pas atij largimi fshihej një tragjedi familjare. Nëna e saj ndërroi jetë pasi u përplas nga një kamion.

Nadia Nadim nuk është vetëm prezantuese, por konsiderohet si një ikonë e futbollit të femrave dhe një komentuese e jashtëzakonshme.

Po ashtu ajo është ambasadore e OKB-së dhe konsiderohet nga revista “Forbes” një nga sportistët më me ndikim në botë.

Është një grua e njohur, e vlerësuar dhe rigoroze në punë. Ndaj dhe në asnjë rrethanë nuk do të ikte në atë mënyrë.

E në fakt, mes opinionit publik dhe shikuesve kishte lindur një atmosferë e vërtetë misterioze, duke pasur parasysh edhe se në orët në vijim as Nadimi dhe as televizioni nuk kishin shpjeguar arsyen e asaj arratisjeje të çuditshme.

Përmes një postimi në Instagram, 34-vjeçarja daneze me origjinë afgane, zbuloi se gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë mësoi se nëna e saj kishte vdekur në një aksident dramatik.

Ajo u godit nga një kamion teksa po kthehej për në shtëpi.

“Fjalët nuk mund të përshkruajnë atë që ndiej. Humba njeriun më të rëndësishëm në jetën time dhe kjo ndodhi papritur. Ajo ishte vetëm 57 vjeçe”.

“Ajo ishte një luftëtare që kishte luftuar për çdo hap të jetës së saj. Ajo më dha jetën jo një herë, por dy herë, dhe gjithçka që jam është falë saj. Kam humbur shtëpinë time dhe e di që asgjë nuk do të jetë më e njëjta”.

Prezantuesja e njohur e ka mbyllur postimin duke shkruar se “jeta është e padrejtë” dhe se nuk e kuptonte se pse duhet të ndodhte në këtë mënyrë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore