Lajme

Prezantuesit afganë “maskohen” për të mbështetur koleget pas dekretit të talebanëve


©: EPA

Prezantuesit televizivë në Afganistan kanë vendosur maska​​​​ në fytyrë, gjatë transmetimeve në ekran, si shenjë solidariteti kundrejt të gjithave grave në kanalet e lajmeve, të cilat, sipas dekretit të talebanëve, duhet të mbulojnë fytyrat e tyre.

Në një protestë të quajtur “#FreeHerFace” në mediat sociale, burrat në “Tolo News” mbanin maska, ​​duke imituar kështu efektin e mbulesës së fytyrës.

Pas urdhrit të talebanëve, koleget e tyre gra janë të detyruara ta mbajnë një të tillë.

Ministria e Talebanëve për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve urdhëroi të gjitha mediat afgane të përdorin maska ​​për prezantueset gra. Vendimi ishte përfundimtar dhe nuk kishte vend për debat, tha ai.

Gjatë nëntë muajve të sundimit të talebanëve, prezantueset janë detyruar gjithashtu të ndërrojnë rrobat e tyre të preferuara shumëngjyrëshe me fustane të gjata.

Në një intervistë për CNN, ish-presidenti afgan, Hamid Karzai, ndër të tjera, u bëri thirrje prezantueseve gra që të sfidojnë urdhrin e talebanëve dhe të mos mbajnë maska.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e talebanëve në llogarinë e tyre zyrtare në Twitter, ku shkruanin se: “Në dy dekadat e fundit, zoti Karzai donte çdo lloj lirie për motrat afgane dhe hapte rrugën për liritë për t’i bërë të huajt të lumtur, por gruaja e tij nuk u shfaq në asnjë media…?!”.

Ministria e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve ka bërë të ditur se mbajtja e hixhabit është “e domosdoshme”, ndërsa lloji më i mirë është burka dhe hixhabi i zi arab.

Sipas urdhrit të ri, në rastin e parë të mosbindjes së urdhrit, talebanët do të këshillojnë dhe udhëzojnë gruan e pambuluar; si hap i dytë do ta paralajmërojnë atë; hapi i tretë është tri ditë burg.

Si hap i katërt, kujdestari i gruas së zbuluar do të dërgohet në gjykatë dhe do të dënohet me një dënim të duhur.

Në muajt e parë të sundimit të fundit taleban në Afganistan, një udhëzim e bëri hixhabin të detyrueshëm për gazetaret gra, por jo të gjitha gratë e respektuan.

Megjithatë, deri në shtator, më pak se 100 nga 700 gazetaret gra në Afganistan ishin ende duke punuar.

Një prezantues tjetër mashkull, i cili nuk deshi të përmendet emri, tha se, ndërsa mbante maskë dy ditët e fundit, e kuptoi se sa e vështirë është të jesh grua në një vend si Afganistani.

Sahar Fetrat, aktiviste feministe afgane që punon për Human Rights Watch, i tha Guardian se: “Gazetarët meshkuj kanë mbajtur maska ​​për fytyrën. Është një akt i madh. Është një nga rastet e pakta ku burrat afganë po bëjnë diçka simbolike, sepse e gjithë rezistenca dhe protestat kundër vellos deri më tani kanë qenë nga gratë ”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore