Shqipëria

Prestigjiozja ‘Bradt Guides’ vjen me një botim të ri për Shqipërinë në vitin 2022


Britanikja Bradt Travel Guides do të vijë me një botim të përditësuar turistik për Shqipërinë.

Kjo e fundit pritet të botohet gjatë muajit qershor.

Botim i ri, i shtati në radhë është i rishikuar plotësisht.

Ai cilësohet nga Bradt si “udhëzuesi më i pavarur për atë që është ende një pjesë relativisht pak e njohur e Evropës”.

Në botim gjendet një mbulim gjithëpërfshirës. ​​

Duke filluar nga kryeqyteti, Tirana, e më pas duke kaluar nëpër Shqipërinë e Mesme, të Veriut dhe të Jugut.

Në të do të përfshihet prapavija historike dhe arkeologjike.

Detajet

Bradt shkruan në vijim se hulumtimi është kryer në mënyrë rigoroze.

Libri do të përfshijë edhe shënime të detajuara mbi rrugët e njohura dhe më pak të njohura të ecjes dhe aktivitete të tjera në natyrë.

Kapituj të tjerë do të ndalen te jeta e egër apo historia ushtarake.

“Shqipëria ka diçka për t’u ofruar pothuajse të gjithëve”, nënvizon Bradt-i.

Sipas britanikes, shumë vijnë për peizazhin spektakolar, të paprekur malor dhe mundësitë e ecjes dhe çiklizmit.

Të tjerë, për Bradt-in, janë të interesuar për trashëgiminë e vendit, si qytetet osmane të Gjirokastrës dhe Beratit.

“Plazhet si Dhërmiu dhe Jala në jug janë të njohura për të rinjtë me çanta shpine, ndërsa në sezonin e lartë resortet janë plot me kosovarë dhe maqedonas që flasin shqip”, vijon përshkrimin udhërrëfyesi britanik.

Autorja

Autorja i këtij botimi të shtatë do të jetë sërish Gillian Gloyer.

Kontakti i saj i parë me Shqipërinë ishte në vitet ’80-të, kur ajo vështroi nga kuverta e një trageti plazhet e pacënuara të vendit pothuajse të mbyllur.

Nga viti 1998 deri në vitin 2002, ajo ka jetuar në Tiranë, duke drejtuar një program trajnimi afatgjatë me partitë politike.

Programi i saj i stërvitjes e çoi atë në të gjithë vendin dhe i dha mundësinë të zbulonte historinë dhe kulturën jashtëzakonisht të pasur të Shqipërisë.

Ajo e mësoi gjuhën ndërsa punonte atje dhe e flet mirë.

Edhe pse gjendet në Edinburg të Skocisë, Gillian viziton Shqipërinë disa herë në vit si për punë ashtu edhe për kënaqësi.

Bradt Travel Guides

E themeluar mbi 40 vjet më parë, Bradt Travel Guides është botuesi më i madh plotësisht i pavarur i udhëzuesve të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata tani kanë një listë me rreth 200 udhërrëfyes që mbulojnë globin, nga Kili jugor deri në Rrethin Arktik.

Bradt gëzon një reputacion pozitiv për publikimin e udhëzuesve të parë për destinacionet në zhvillim.

Udhëzuesit e vendit kanë qenë në zemër të etikës së Bradt që nga dita e parë dhe ata mbeten një fokus kryesor i gamës së tyre.

“Qoshet kurioze të Evropës, provincat kanadeze të mbuluara me borë, pjesët e pasura me kafshë të egra të Afrikës dhe udhëtimet në Amerikën e Jugut janë të gjitha pjesë e serisë rajonale”, lexohet në web-faqjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore