Lajme

Presioni i lartë i gjakut dëmton trurin dhe mund të shkaktojë dëmtime konjitive


Hipertensioni është një gjendje që prek më shumë se një miliardë njerëz në mbarë botën dhe efektet e tij në tru kanë qenë objekt i studimeve të shumta.

Deri më tani, mekanizmat në bazë të rënies njohëse nuk ishin të njohura, por tani janë të identifikuara falë studimit të kryer nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë.

Ata kanë analizuar rezonancën magnetike të trurit të 33 mijë njerëzve të përfshirë në një projekt të UK Biobank, të cilëve iu bashkua një grup pacientësh nga Pozzilli’s Neuromed, dhe duke i kombinuar me rezultatet e testeve konjitive dhe gjenetike dhe me vëzhgimet klinike mbi mijëra pacientë.

Kërkimet kanë bërë të mundur identifikimin e strukturave të trurit që dëmtohen gradualisht nga presioni i lartë i gjakut, duke shkaktuar kështu dëmtim konjitiv.

“Studimi ynë identifikoi zona të trurit që janë potencialisht të lidhura me rritjen e presionit të gjakut dhe dëmtimit njohës”, ka shpjeguar biologu Mateusz Siedlinski.

Kjo u bë e mundur falë disponueshmërisë së të dhënave nga biobanka e Mbretërisë së Bashkuar dhe falë kërkimeve të mëparshme, të cilat identifikuan variante gjenetike të afta për të ndikuar në strukturën dhe funksionin e mbi tre mijë zonave të trurit.

Janë nëntë zona të trurit në të cilat janë gjetur ndryshime që lidhen me hipertensionin dhe përkeqësimin e funksionit njohës.

Njëri prej tyre quhet putamen, ndërsa të tjerët janë të përfshirë në funksionin ekzekutiv dhe planifikimin e aktiviteteve të thjeshta dhe komplekse ditore, vendimmarrjen dhe menaxhimin e emocioneve.

“Ne menduam se këto zona mund të jenë ku presioni i lartë i gjakut ndikon në funksionin njohës, si humbja e kujtesës. Dhe kur kontrolluam rezultatet tona, duke studiuar një grup pacientësh italianë që vuanin nga presioni i lartë i gjakut, zbuluam se zonat e trurit që kishim identifikuar ishin vërtet të prekura”, ka thënë Tomasz Guzik, profesor i mjekësisë kardiovaskulare.

Një gjetje tjetër kryesore ka të bëjë me efektet e mundshme të dallueshme të presionit të gjakut sistolik dhe diastolik, në veçanti, vetëm presioni diastolik i gjakut nuk duket të jetë i lidhur me rënien njohëse, por duket se ka një efekt mbrojtës kur merret parasysh presioni sistolik i gjakut.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore