Aplikacione

Presionet dhe shpërblimet e të qenit influencues


Michelle Phan u lodh nga të qenit influencuese.

Ajo ka treguar për agjencinë e lajmeve, “BBC”, se ishte e nevojshme të hiqte dorë nga krijimi i videove të saj të njohura të kozmetikës dhe bukurisë në YouTube.

“U bë gjithnjë e më e vështirë për mua të pretendoj se jam e lumtur. Dhe si rezultat isha bërë toksike me marrëdhëniet dhe miqësitë e mia. Ky ishte caku im”, ka thënë ajo.

Tanimë, 34-vjeçrja po kthehet prapa në periudhën nga viti 2017 në vitin 2019 kur mori një pushim nga ngarkimi i videove të saj mësimore.

Ndikuesja e mediave sociale ka treguar se i duhej kohë për të pushuar nga presioni i vazhdueshëm për të ngarkuar gjithnjë e më shumë përmbajtje dhe për të ndjekur gjithnjë e më shumë shikime dhe pëlqime.

Kanali i saj në platformën YouTube numëron 8.84 milionë abonentë në të gjithë botën dhe Phan, e vendosur në Los Angeles, mentoron dhe mbështet njerëz të tjerë që krijojnë dhe ngarkojnë video.

Ajo ka zbuluar se shumë prej tyre ndihen të stresuar nga mbarimi i ideve dhe të detyruar të bëjnë përmbajtje të reja disa herë në ditë.

Por çfarë është saktësisht një ndikues i mediave sociale?

Përkufizim të prerë nuk ka, por në thelb është dikush që ka mjaft ndjekës në mediat sociale, zakonisht në YouTube, Instagram ose TikTok.

Ndërsa të ardhurat vijnë nga dy burime kryesore. Një pjesë e të ardhurave nga reklamat dhe merret nga kompanitë për të promovuar markat e tyre.

Kurse në YouTube mund të aplikohet për të filluar marrjen e një pjese të të ardhurave nga reklamat e vendosura në video, nëse numërohen më shumë se një mijë abonentë dhe katër mijë orë shikime.

Sipas një raporti, vlerat që merren nga YouTube-i luhaten midis tre dhe pesë dollarë për një mijë shikime të një prej videove.

Kur bëhet fjalë për marrëveshjet me markat, përfitimi ndryshon në varësi të numrit të ndjekësve.

Pastaj, në Instagram, nëse disponohen më shumë se një milion ndjekës dhe nëse një kompani dëshiron të promovojë diçka, mund të fitohen më shumë se 10 mijë dollarë për vetëm një postim.

Për këtë, “BBC” ka diskutuar me Phan dhe katër ndikues të tjerë për të mësuar më shumë rreth përvojave të tyre.

Phan ka treguar se krijuesit “duhet të dinë kur të kujdesen për veten” në vend që të postojnë gjatë gjithë kohës.

Dhe ky shqetësim i saj i bën jehonë analistes mediatike, Rebecca McGrath, e firmës kërkimore Mintel, e cila ka thënë se disa influencues po i ndjekin të ardhurat aq shumë sa postojnë “edhe nëse nuk kanë asgjë të re për të krijuar ose thënë”.

Gjithashtu ajo ka paralajmëruar se krijuesit duhet të jenë në gjendje të merren me trollet në internet duke shkruar gjëra të tmerrshme nën video. “Ju jeni gjithashtu të ekspozuar ndaj komenteve urrejtëse, për të cilat mendoj se njerëzit nuk janë të përgatitur”, ka theksuar ajo.

E njëjta çështje është ngritur edhe nga ndikuesja e mediave sociale në Mbretërinë e Bashkuar, Em Sheldon, kur ajo foli para deputetëve në Dhomën e Komuneve në muajin korrik. Një komitet deputetësh tani po vazhdon të hetojë rritjen e kulturës së influencuesit.

Tanimë, gjendet edhe TikTok-u. Ai ka më shumë se një miliard përdorues globalë dhe njerëzit po shpenzojnë më shumë kohë duke parë atë krahasuar me YouTube-in.

Vëllezërit Colin dhe Dylan McFarland dhe babai i tyre Dan, kanë ngarkuar skeçe komedie dhe valle në aplikacionin video që nga viti 2019.

E njohur si The McFarlands, treshja nga Louisville, Kentucky, tani numëron 2.6 milionë ndjekës në TikTok.

“Influencuesit janë një valë e re e njerëzve, të cilëve mund t’u besoni në internet”, ka thënë Colin, duke vijuar se “nëse jeni duke shitur një produkt ose duke dhënë këshilla, njerëzit do t’u besojnë njerëzve që shohin në telefonin e tyre çdo ditë”.

Kurse Dylan, 25 vjeç, ka treguar se humori i tyre i bëri markat si Colgate dhe Gillette “të duan të punojnë me ne dhe të shohin se çfarë mund të bëjmë, sepse ne po veprojmë vërtet si jemi me familjen tonë”.

Gjatë dy viteve të fundit, të ardhurat e tyre i lejuan të dy vëllezërit të braktisnin punët e tyre ditore, të blinin shtëpi dhe madje të investonin në prona të tjera.

“Unë me gjithë zemër besoj se çdokush mund ta bëjë këtë”, ka treguar Colin, i cili filloi redaktimin e videove në iPhone-in e tij.

Krijuesi i YouTube-it, Kevin Parry, me qendër në Toronto, gëzon një jetë të mirë duke bërë video të animacionit stop-motion për 936 mijë pajtimtarët e tij dhe shikuesit e tjerë.

Në vitin 2018, vetëm vitin e tij të parë, ai ka zbuluar se ka fituar të ardhura prej më shumë se 100 mijë dollarësh kanadezë.

32-vjeçari, i cili ka punuar me Disney, Apple, Amazon dhe Lego, ka rrëfyer se 90 për qind e të ardhurave të tij vijnë nga marrëveshjet e markave. 10 përqindëshi i mbetur nga reklamat dhe një agjenci që pretendon të ardhura nga njerëz që fitojnë para nga përmbajtja e tij.

Mirëpo, ai ka paralajmëruar se ndikuesit e mundshëm nuk duhet të ndajnë shumë nga jeta e tyre personale.

Parry i ka këshilluar krijuesit që të përmirësojnë një grup aftësish të veçanta, të tilla si xhirimi i filmit dhe ta ndajnë atë pasion, në vend që të flasin për jetën e tyre të përditshme.

Ndërsa Shan Boodram, flet për çështjet e seksit dhe marrëdhënieve në kanalin e saj në YouTube të quajtur Shan Boody që nga viti 2012. Ajo ka 664 mijë abonentë dhe videot e saj janë parë më shumë se 71 milionë herë.

Ajo ka treguar për “BBC” se krijuesit e rinj duhet të mendojnë për personin e fundit që do të donit ta shihte i pari atë përmbajtje. “Dhe nëse jeni të kënaqur me këtë, shtypni ngarkimin”, ka thënë ajo.

Edhe pse disavantazhet për të qenë një ndikues janë të shumta, shumë njerëz do të donin të ishin të tillë. Kjo pasi mund të jetë një mënyrë argëtuese dhe fitimprurëse për të jetuar.

Megjithatë, psikologu Stuart Duff i Pearn Kandola ka theksuar se është i nevojshëm një personalitet i caktuar për të shpresuar suksesin në të.

“Është e qartë se ka një larmi të madhe të ndikuesve të suksesshëm, për sa i përket stilit dhe personalitetit, por për të qenë vërtet i suksesshëm, ndikuesi do të përdorë një pjesë të madhe të psikologjisë për të ndikuar tek ndjekësit”, ka treguar ai.

Psikologu ka shtuar se “ata do të tregojnë histori të mrekullueshme, do të kenë një markë të fortë, unike dhe do t’i përmbahen mesazhit. Ata do të jenë qartë të apasionuar pas asaj që duan të thonë dhe gjithmonë duket se e dinë atë që audienca e tyre dëshiron të dëgjojë”.

Për sa i përket Phan, ajo nisi të hedhë video në YouTube në vitin 2007 dhe falë një pjese të madhe të suksesit të saj, tani ka në pronësi dhe drejton kompaninë e saj shumë milionëshe, EM Cosmetics.

“Nëse jeni një tregimtare e mirë, atëherë mund të rrisni një auditor të jashtëzakonshëm dhe të ndryshoni jetën tuaj”, ka përmbyllur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore