Kultura

Presidentja Osmani uron Yllka Gashin për çmimin e aktores më të mirë në filmin “Zgjoi”


Filmi "Zgjoi"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar aktoren Yllka Gashi, pasi kjo e fundit ka fituar çmimin në Festivalin spanjoll “Seminci”, si aktorja më e mirë në filmin “Zgjoi”.

Osmani ka thënë se Gashi është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superyll ndërkombëtar.

“Yllka, jemi shumë krenarë me ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtetë e merituar!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

Ndërkaq, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së enjte kishte marrë pjesë në Samitin Global të Grave, gjatë vizitës që po e zhvillon në Portugali.

Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Kosovës, përkatësisht grave të Krushës, të cilat përkundër vuajtjeve që kanë përjetuar, kanë arritur të triumfojnë.

“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin Global të Grave

Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.

“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival”.

Ajo ju ka bërë thirrje grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit që ta shikojnë këtë film, për të parë historinë e njërës nga gratë shqiptare.

Ndërkaq, filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit ka fituar Çmimin “Fundos”.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë”, ka thënë Gashi gjatë pranimit të çmimit.

Sepse kjo sipas saj “tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima”.

“Pra, të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre”, duke shtuar tutje Gashi ka thënë se ka qenë nderi i jetës së saj të luaj këtë rol dhe “të nderoj Fahrijen”.

Drama është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit dhe filmi “Zgjoi” ka vë në pah rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe.

Festivali Ndërkombëtar i Valladolidit sivjet po e mban edicionin e 66-të.

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, nga pesë nëntori do të shfaqet edhe në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aktorja Yllka Gashi, e cila ka edhe rolin kryesor në këtë film ka treguar se “Zgjoi”, do të shfaqet në New York me datën pesë nëntor dhe në 12 nëntor në Los Angles.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore