Lajme

Presidentja Osmani ftohet të udhëtojë të hënën për në SHBA


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Republikë së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Institutit për Politikë të Jashtme “SAIS” do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA),  me tetë nëntor ku do të flasë për të ardhmen e Kosovës.

Institutit për Politikë të Jashtme “SAIS” ka bërë një postim në Twitter ku tregon edhe kohën kur Presidentja do të arrijë në institut.

“Instituti për Politikë të Jashtme SAIS do të presë me krenari Presidenten Vjosa Osmani, të hënën, më 8 nëntor, në orën 11:30”.

Nga ana tjetër të premten e pesë nëntorit Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë në Samitin për Demokraci në SHBA i cili do të mbahet për herë të parë.

Në këtë samit do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga e gjithë bota, por jo Kosova.

As nga Qeveria e Kosovës por as nga Presidenca, nuk kanë komentuar lidhur me mos-ftesën e SHBA-ve.

Ilustrim

Mirëpo, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se për pjesëmarrjen e shteteve në këtë Samit vendos vet SHBA.

“Janë konferenca të rëndësishme, në të cilat vetë SHBA vendosin se kush është i rëndësishëm të marrë pjesë ose jo”.

Ai nuk ka komentuar mos-ftesën, por është shprehur optimist se do të ftohen në Samit vitin e ardhshëm.

“Për Kosovën do të kishte qenë e mirëseardhur po të ishte pjesë e kësaj konference. Kjo po mbahet për herë të parë, por dëgjova që pas një viti do të  mbahet tjetra, sepse kjo parashihej në dy faza”.

“Meqenëse nuk u ftuam në këtë të parën, shpresojmë që në atë të dytën që do të mbahet tash një vit, me sa e lexova projektin, të jemi të ftuar do të ishte shumë me rëndësi për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Ndërsa, partitë opozitare dhe shoqëria civile kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mos-ftesën, madje kanë akuzuar kryeministrin Kurti për degradim të raporteve me SHBA-të.

Shkolla Paul H. Nitze e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara (SAIS) është një divizion i Universitetit Johns Hopkins me qendër në Uashington, D.C., Shtetet e Bashkuara.

Ajo renditet vazhdimisht si një nga shkollat ​​më të larta të diplomimit për marrëdhëniet ndërkombëtare në botë. Institucioni është i përkushtuar për studimin e çështjeve ndërkombëtare, ekonomisë, diplomacisë dhe kërkimit dhe edukimit të politikave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore