Lajme

Presidentja Osmani del në pritje të trupave të pajetë nga aksidenti në Bullgari


Presidentja Osmani në prije të viktimave që janë sjellë nga Bullgaria ne Maqedoni te Veriut.

Të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dërguar trupat e pajetë të 45 personave që humbën jetën, më 23 nëntor, në Bullgari gjatë aksidentit me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.

Viktimat janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve e përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, dhe më pas në mënyrë të organizuar do t’u dorëzohen familjarëve në vendbanimet e tyre.

Në këtë ceremoni bëhet e ditur se është duke marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi,  dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla si dhe të tjetër funksionerë të lartë shtetërorë.

 

Rreth orës 9:00 të mëngjesit, janë nisur nga Bullgaria, trupat e 45 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident ku autobusi me të cilin po udhëtonin nga Bullgaria për në shtetin e tyre, u përfshi nga flakët, natën e 23 nëntorit, në autostradën “Strum” në afërsi të qytetit Pernik.

Trupat e 45 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët humbën jetën tragjikisht.

Bartja e kufomave u bë me dy aeroplanë ushtarakë – transportues, nga aeroporti i Sofjes për në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

Mbrëmë vonë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza.

“Ju njoftojmë se eshtrat e qytetarëve që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Bullgari pas transportit të tyre në aeroportin e Shkupit, do të dërgohen menjëherë në shtëpitë e tyre dhe në varreza”.

“Ky ndryshim vjen në përputhje me kërkesat e disa familjeve të viktimave, në mënyrë që trupat të dorëzohen para namazit të Xhumasë. Për qytetarët që duan të bëjnë nderime, mbetet mundësia që këtë ta bëjnë në sheshin “Skënderbej” nga ora 10 deri në 13:00″, bëhet e ditur në shkrimin e MPJ-së në Facebook.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënies mes Bashkësive, Artan Grubi, dje në takimin me ambasadorin e Bullgarisë, Angel Angellov, e ka falënderuar për ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve bullgare me qëllim të zbardhjes së ngjarjes tragjike në të cilën e humbën jetën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut, si dhe trajtimi dhe kujdesi i ofruar për të mbijetuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore