Kosova

Presidentja e Speciales Trendafilova përgjigjet për vonesat e Prokurorisë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve


Ekaterina Trendafilova

 Pas arrestimit të katër figurave të larta të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë ishte shprehur për fillimin e shpejtë të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke thënë se ajo do të ishte e gatshme më së largu në verën e vitit 2021.

Prokurori Jack Smith kishte thënë se ishin të gatshëm që gjykimi të fillonte më së voni në shtator të vitit 2021.

Por, tashmë, ka kaluar një vit e gjysmë dhe gjykimi ende s’ka filluar.

Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, s’ka shumë të thotë për këto vonesa, derisa nuk pajtohet me konstatimin që nuk po respektohen afatet.

“Afatet kohore për fillimit e gjykimit vendosen nga gjykatësit”, thotë ajo, duke filluar të flasë për gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, si dhe respektimin e afateve në rastet e tyre.

“Afati për fillimin e gjykimit në rastet e Gucati, Haradinaj dhe z. Mustafa është respektuar dhe nuk është shkelur siç sugjerohet. Edhe në rastin kundër zotit Shala, gjykatësi i paragjykimit ka treguar se ka për qëllim ta vendosë në trup gjyqësor nga fundi i gushtit”.

Por, e pyetur nga Albanian Post, jo për raste të tjera, por për Thaçin dhe të tjerët, ajo shton se “rasti kundër zotit Thaçi dhe të tjerëve po procedohet në pajtim me kornizën ligjore të DHSK-së dhe gjykatësi i procedurës paraprake do të nxjerrë çdo urdhër apo vendim që nevojitet për të siguruar përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim, siç ka bërë me çështjet e tjera”.

Lexojeni intervistën e plotë të Trëndafilovës dhënë ekskluzivisht për Albanian Post.

Shënim: Ndiqeni dokumentarin “Devijimi Special” punuar nga Albanian Post në bashkëpunim me emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore