Lajme

Presidenti ukrainas, Zelensky: Nord Stream 2, armë e rrezikshme gjeopolitike


Qeveria ukrainase e sheh tubacionin Nord Stream 2 drejt përfundimit, ku së shpejti do të transportojë gazin rus në Evropë dhe do të anashkalojë Ukrainën si “një armë të rrezikshme gjeopolitike”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët shtypi, në Kiev, me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka drejtuar projektin e tubacionit që kundërshtohet ashpër nga fqinjët rusë si Ukraina, Polonia dhe shtetet baltike.

Tubacioni prej 12 miliardë dollarësh nën Detin Baltik do të dyfishojë dërgesat e gazit natyror rus në Gjermani. Ajo shmang Ukrainën, duke privuar Kievin nga tarifat thelbësore të tranzitit të gazit.

“Ne e shikojmë këtë projekt ekskluzivisht përmes prizmit të sigurisë dhe e konsiderojmë atë një armë të rrezikshme gjeopolitike të Kremlinit”, tha Zelensky.

Ai shtoi se rreziqet kryesore pas përfundimit të këtij projekti do të “përballohen nga Ukraina”, por tubacioni do të jetë gjithashtu i rrezikshëm “për të gjithë Evropën”.

Nord Stream “do të kalojë vetëm në duart e Federatës Ruse”, deklaroi presidenti.

Ndërsa Merkel tha se qeveria gjermane pajtohet me Washington-in dhe se “gazi nuk duhet të përdoret si armë gjeopolitike”.

“Kjo do të varet nëse ka një zgjatje të kontratës së tranzitit përmes Ukrainës, ku sa më shpejt të përfundojë, aq më mirë do të jetë”, tha ajo ndërsa iu referua përfundimit të marrëveshjes së Moskës me Kievin në 2024.

“Një përgjegjësi e veçantë”

Udhëheqësja gjermane, e cila u takua me Zelensky dy ditë pasi vizitoi homologun e tij rus në Moskë, tha se ajo kishte diskutuar me Vladimir Putinin për zgjatjen e kontratës pas vitit 2024.

“Ne ndiejmë një përgjegjësi të veçantë” dhe “i kuptojmë shqetësimet që shprehu presidenti Zelensky”, tha ajo.

“Ne i marrim ato shumë seriozisht”.

Zelensky tha se ai dhe Merkel kishin diskutuar zgjatjen e kësaj kontrate, por vuri në dukje se, deri më tani, kishte dëgjuar vetëm “gjëra shumë të përgjithshme”.

Ndërtimi i tubacionit çoi në tensione midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por Washington-i përfundimisht hoqi dorë nga sanksionet kundër ndërtuesit të tubacionit të kontrolluar nga Rusia.

Merkel tha se marrëveshja Gjermani-SHBA specifikon “sanksione” nëse gazi “përdoret si armë”.

Ajo shtoi se këto angazhime ishin “detyruese për qeveritë e ardhshme gjermane”, pasi ajo do të largohet nga zyra muajin e ardhshëm pas 16 vitesh në pushtet.

Merkel ka qenë një aleate kryesore e Ukrainës që nga viti 2014, kur Moska aneksoi Krimenë dhe separatistët pro-rusë u shkëputën nga lindja e vendit.

Marrëveshja

Zyrtarët e SHBA-ve kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje me Gjermaninë për të parandaluar Rusinë që të përdorë tubacionin e saj të gazit Nord Stream 2 si levë politike mbi Evropën.

Gazsjellësi – i gjatë 1 mijë e 230 km (764 milje) nën Detin Baltik – do të dyfishojë eksportet e gazit rus në Gjermani.

Zyrtarja amerikane, Victoria Nuland, tha se ishte “një tubacion i keq”.

Ajo tha se “marrëveshja parashikonte sanksione kundër Moskës nëse do të përpiqej të shantazhonte Ukrainën”.

Rusia e mohon këtë dhe e përshkruan projektin si komercialisht të dobishëm për të gjithë të përfshirët.

Sipas kushteve të marrëveshjes SHBA-Gjermani, Ukraina do të marrë 50 milionë dollarë kredi të teknologjisë së energjisë së gjelbër dhe një garanci të ri pagimit për tarifat e transitit të gazit që do të humbasë duke u anashkaluar nga tubacioni deri në vitin 2024.

Në maj, administrata e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, hoqi dorë nga sanksionet mbi një kompani që ndërton tubacionin, pavarësisht një kundërshtimi të fortë nga ligjvënësit republikanë.

Shtëpia e Bardhë kundërshton tubacionin, por analistët thonë se ai ngurron të rrezikojë një përçarje transatlantike me Gjermaninë, në një kohë kur është përpjekur të kontaktojë me aleatët evropianë.

Nord Stream, tubacioni i ri, do të ketë kapacitetin prej 55 miliardë metra kub gaz në vit për në Evropë.

Fillimi i projektit

Nord Stream është një sistem i tubacioneve të gazit natyror në det të hapur nga Rusia në Gjermani. Ai përfshin dy linja, të cilat drejtohen nga Rusia drejt Gjermanisë.

Nord Stream është në pronësi dhe drejtohet nga Nord Stream AG, aksioneri kryesor i së cilës është kompania shtetërore ruse Gazprom.

Nord Stream 2 është në pronësi dhe do të operohet nga Nord Stream 2 AG, një degë në pronësi të plotë të Gazprom-it.

Në tetor të 2012-ës, aksionarët e projektit Nord Stream ekzaminuan rezultatet paraprake të studimit të fizibilitetit për dy linja të reja të tubacionit të gazit.

Ato arritën në përfundimin se, ndërtimi i tyre ishte i mundshëm ekonomikisht dhe teknikisht. Projekti i ndërtimit të linjave të reja u bë i njohur si projekt Nord Stream 2.

Në prill të 2017-ës, Nord Stream 2 AG nënshkroi marrëveshjet e financimit për projektin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 me kompanitë ENGIE, OMV, Royal Dutch Shell, Uniper dhe Wintershall.

Këto pesë kompani evropiane të energjisë do të sigurojnë financim afatgjatë për 50% të kostos totale të projektit.

Në shtator 2018-ës, operacionet e shtrimit të tubave filluan në Detin Baltik. Gazsjellësi i ri do të vendosë një lidhje të drejtpërdrejtë midis kompanisë Gazprom dhe konsumatorëve evropianë.

Ai, gjithashtu, do të sigurojë furnizimin e besueshëm të gazit rus në Evropë.

Marrë nga AFP, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore