Lajme

Presidenti polak vë veton ndaj ligjit të diskutueshëm për median


Njerëzit demonstrojnë pasi parlamenti polak miratoi projektligjin që shihet gjerësisht si një sulm ndaj lirisë së medias, në Varshavë, Poloni, të dielën 19 dhjetor 2021.

Presidenti polak, Andrzej Duda, ka vënë veton ndaj një ligji të diskutueshëm të pronësisë së medias, për të cilin kritikët thanë se kishte për qëllim të heshtte një stacion televiziv në pronësi të SHBA-ve që kritikonte qeverinë.

Ligji do të kishte penguar kompanitë jashtë Zonës Ekonomike Evropiane të kontrollonin mediat polake.

Nëse miratohej, grupi “Discovery” me bazë në SHBA do të duhej të shiste aksionet e tij në rrjetin e lajmeve polake, “TVN24”.

Zyrtarët argumentuan se ligji synonte të kufizonte ndikimin e shteteve armiqësore.

Presidenti polak, Andrzej Duda

Partia në pushtet për Ligjin dhe Drejtësinë (PiS) ka thënë prej kohësh se korporatat e huaja kanë shumë pushtet mbi mediat polake dhe e nxori projektligjin në Parlament në fillim të këtij muaji.

Por kritikët thanë se masa kishte për qëllim të sulmonte “TVN24”, kanalin më të ndjekur të lajmeve në Poloni dhe një rrjet gazetarësh, të cilit shpesh kanë qenë kritikë ndaj qeverisë konservatore.

“TVN24”, “TVN”, është në pronësi të “Discovery” nëpërmjet një kompanie me bazë në Holandë për të shmangur një ndalim ekzistues për firmat joevropiane që zotërojnë më shumë se 49% të kompanive mediatike polake.

Duda, i cili mbështetet fuqimisht nga PiS, tha se vlerësonte përpjekjen e qeverisë për të mbrojtur vendin nga aktorët potencialisht armiqësorë si Rusia, por vuri në dukje se ligji ngriti shqetësime të rëndësishme mbi të drejtat e pronës.

Ai shtoi se nuk mund të zbatohej në mënyrë retrospektive për marrëveshjet ekzistuese të biznesit dhe traktatet e investimeve.

Mijëra polakë protestuan në fillim të këtij muaji jashtë pallatit presidencial në Varshavë kundër ligjit, me shumë në turmë që valëvitnin flamurin e Bashkimit Evropian (BE) dhe mbanin shenja të zbukuruara me logon e “TVN24”.

Ish-shefi i BE-së, Donald Tusk, i cili tani drejton partinë opozitare Platforma Qytetare, tha se vendimi i Duda-s provoi se “presioni ka kuptim”.

Nga ana tjetër, kryediplomati amerikan në Varshavë, Bix Aliu, falënderoi Duda-n dhe e vlerësoi atë për “udhëheqjen dhe përkushtimin e tij ndaj vlerave të përbashkëta demokratike dhe për mbrojtjen e klimës së investimeve në Poloni”.

Monitorët shfaqen në redaksinë e “TVN24”, pjesë e rrjetit “TVN” në Poloni në pronësi të kompanisë amerikane “Discovery, Inc.”, në Varshavë, Poloni, të shtunën më 18 dhjetor 2021.

“Së bashku, aleatët janë më të fortë”, shtoi Aliu.

Në fillim të këtij muaji, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ned Price, i bëri thirrje qeverisë që të mendojë me kujdes përpara se të ecë përpara me një ligj që mund të “gërryejë besimin e investitorëve të huaj në të drejtat e tyre të pronës dhe shenjtërinë e kontratave në Poloni”.

Ndërsa, zëvendëspresidentja e Komisionit të BE-së, Vera Jourova, ishte zotuar se Blloku do të ndërmarrë veprime kundër çdo ligji që nuk përputhet me ligjin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore