Sport

Presidenti Meta ‘bekon’ Celtic-un para ndeshjes me Ferencvarosi-n


Gjigandët skocez të Celtic-ut do të përballen në ndeshjen e tretë në Grupin G të Europa League me hungarezët e Ferencvarosi-t. Me këta të fundit aktivizohet sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni.

Teksa skocezët kanë zero pikë, pas dy javëve të para, ata do të tentojnë kthesën përballë hungarezëve. Edhe Ferencvarosi nuk ka asnjë pikë në renditje.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pritet të jetë i pranishëm në “Celtic Park”, për ndeshjen e Europa League. Ndeshje e cila do të fillojë nga ora 16:30.

Më herët, Meta, ka takuar ish-lojtarin e Kombëtares së Shqipërisë dhe Celtic-ut, Rudi Vata, si dhe djalin e tij, Rocco-n. Rocco është pjesë e akademisë së Celtic-ut dhe aktivizohet dhe me Kombëtaren U-17 të Republikës së Iralndës.

Meta është një nga themeluesit e klubit të tifozëve “Celtic Supporters Club Albania”, i hapur gati një vit më parë.

“Celtic FC ka domethënie të madhe për mua. Do të thotë solidaritet, socializim, bashkësi, besnikëri, integritet, miqësi. Për të mos ecur kurrë vetëm”, tha Meta gjatë ceremonisë hapëse të “Celtic Supporters Club Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore