Sport

Presidenti kinez sugjeron sistemin e mbyllur për Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin


Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka zhvilluar një takim me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, përpara Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në shkurt.

Diskutimet midis Bach dhe Xi, i cili nuk është larguar nga vendi që nga fillimi i vitit 2020, përfshin sistemin e mbyllur për Lojërat e Pekinit, për të penguar kështu çdo transmetim të virusit nga pjesëmarrësit olimpikë te popullata e gjerë.

Presidenti kinez Xi takohet me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar,Thomas Bach
Presidenti kinez Xi takohet me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach

Bach vlerësoi “efikasitetin, vendosmërinë dhe dinamizmin” e Kinës dhe tha se masat e Pekinit do të siguronin një lojë dimërore “të sigurt, të qetë dhe të suksesshme”.

Zhvillimi i Lojërave Olimpike, për të cilat Xi tha se do të angazhonin më shumë se 300 milionë njerëz në sportet dimërore, është mbizotëruar nga beteja e Kinës për të eliminuar coronavirus-in dhe për të ndaluar përhapjen e variantit shumë infektiv Omicron.

Vendi, muajin e kaluar, regjistroi numrin më të madh të rasteve ditore që nga fillimi i vitit 2020. Si pasojë e kësaj, qeveria vendosi një bllokim, për gati tri javë, për rreth 13 milionë banorë në qytetin qendror të Xi’an. Masat u lehtësuan këtë javë.

Sistemi i mbyllur i Kinës për Lojërat do të kufizojë lëvizjet e pjesëmarrësve. Autoritetet në Pekin kanë inkurajuar njerëzit në kryeqytet që të shmangin çdo kontakt me automjetet që transportojnë pjesëmarrësit olimpikë.

Organizatorët thanë të mërkurën se 13 raste ishin konfirmuar një ditë më parë në mesin e personelit të Olimpiadës, nga të cilat nëntë ishin gjatë mbërritjes në aeroport, por asnjë nuk lidhej me atletët.

Numri i rasteve ka rënë ditët e fundit në të gjithë vendin.

Por, zyrtarët në Kinë janë të shqetësuar për fillimin e Festave të Vitit të ri Hënor, i cili në vitet para pandemisë përfaqësonte lëvizjen më të madhe vjetore të njerëzve në botë. Kjo, pasi qindra milionë kinezë udhëtojnë për të takuar familjarët e tyre.

Disa qeveri lokale kanë filluar t’u bëjnë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë, por po u ofrojnë stimuj migrantëve që të qëndrojnë aty.

Marrë nga CNN, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore