Lajme

Presidenti iranian mbërrin në Siri, vizita cilësohet si “fitore strategjike”


Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka mbërritur në Siri.

Ai pritet të takohet me presidentin Bashar al-Assad në atë që Teherani e ka përshkruar si një shenjë të “fitores strategjike” të tij në çështjet rajonale.

Raisi zbarkoi në Damask për një udhëtim dy-ditor dhe mori një pritje zyrtare për të nisur vizitën e parë shtetërore të një presidenti iranian në Siri në 13 vjet.

Ai shoqërohej nga ministrat e tij të punëve të jashtme, të rrugëve dhe zhvillimit urban, të naftës dhe çështjeve ekonomike dhe nga shefi i bankës qendrore të Iranit.

Zëvendësi i Raisi-t për çështjet politike, Mohammad Jamshidi, ka thënë para nisjes se vizita është një shenjë e “fitores strategjike të Republikës Islamike të Iranit në rajon”.

Pas mbështetjes së al-Asadit gjatë luftës në Siri, Teherani po pozicionohet tani për të pasur një bazë më të fortë në të ardhmen ekonomike të vendit, duke synuar të zgjerojë tregtinë dhe të sigurojë një pikë hyrjeje për kompanitë e tij shtetërore dhe private.

Jamshidi ka thënë se udhëtimi po zhvillohet pas më shumë se një dekade trazirash në Lindjen e Mesme, e cila përfshinte luftën në Siri, luftën në Jemen, ngritjen e ISIL (ISIS) dhe përhapjen e “terrorizmit”.

Po ashtu ai ka përmendur politikën e SHBA-ve të “presionit maksimal” duke filluar në vitin 2018 pasi SHBA braktisi në mënyrë të njëanshme një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore dhe rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.

Sipas tij, të njëjtat kombe arabe që mbështetën izolimin e Iranit, tani po ripozicionohen dhe po përgatiten të mirëpresin përsëri Sirinë në vathën arabe pasi rivalët Irani dhe Arabia Saudite, me ndërmjetësimin kinez, ranë dakord të rivendosin lidhjet diplomatike.

Për të, ky zhvillim paraqet një dështim të politikave të SHBA-ve në rajon.

Irani dhe Siria pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje gjatë vizitës së Raisi-t, disa prej të cilave janë të përqendruara në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Sakaq, Raisi mbërriti një ditë pasi Izraeli nisi sulmet ajrore duke synuar aeroportin ndërkombëtar në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, duke vrarë një ushtar dhe duke e nxjerrë aeroportin jashtë funksionit.

Izraeli, i cili ka premtuar të luftojë rritjen e ndikimit iranian në vendet fqinje, ka kryer qindra sulme në zonat e kontrolluara nga qeveria të Sirisë në vitet e fundit dhe shumë sulme në muajt e fundit.

Në mars, forcat e mbështetura nga SHBA-të dhe Irani në Siri shkëmbyen zjarr në sulme ajrore që vranë të paktën 20 njerëz.

Ndërkohë, Teherani vazhdon të mbështesë qëndrimin e al-Asadit se forcat amerikane duhet t’i japin fund pranisë së tyre në vend, të cilin Washington-i ka thënë se e kishte marrë për të luftuar ISIL.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore