Lajme

Presidenti i Sllovenisë të hënën në Kosovë


Borut Pahor, Presidenti i Sllovenisë

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor të hënën e 29 nëntorit, vjen në Kosovë.

Ai do të qëndroj për një vizitë zyrtare një ditore.

Ai me këtë rast do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimi i Pahorit me Osmanin është paralajmëruar se do të mbahet në ora 10:00, ndërsa me Kurtin rreth një orë më vonë, në ora 11:20. Ai do të takohet me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari rreth orës 12:10.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Pahor do të vizitojë edhe kontingjentin e Ushtrisë Sllovene që vepron në operacionin e KFOR-it, kështu thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Sllovenisë.

“Qëllimi i takimeve dhe bisedimeve me përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës është shkëmbimi i vlerësimeve dhe qëndrimeve për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, situatën në Ballkanin Perëndimor, perspektivën evropiane të tij dhe përgatitjen e samitit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni”, thuhet në njoftim.

Borut Pahor, Presidenti i Sllovenisë dhe Alexander Vuçiç, Presidenti i Serbisë

Një ditë më parë, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor qëndroi në Beograd.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh se është i shqetësuar për disa procese dhe deklarata në Ballkanin Perëndimor.

Pahor theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ishte vendimtar për paqen dhe sigurinë, si dhe për mirëqenien e njerëzve në këtë rajon.

“Faleminderit presidentit Vuçiç për këtë bisedë dhe për përmendjen e ushtarëve sllovenë në Kosovë, dhe unë do t’i vizitoj nesër”, tha Pahor.

Ai shtoi se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të kërkojë të zbatohet gjithçka që është rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit.

Pahor tha se është i shqetësuar edhe sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë dhe shtoi se ai duhet të vazhdojë.

“Sllovenia është një përkrahëse e madhe e atij dialogu dhe ende e mbështet atë”, tha ai, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi nuk i kontribuon askujt.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë për të rregulluar marrëdhëniet në mënyrë që të mos rrezikohet paqja, siguria dhe bashkëpunimi në rajon”, tha Pahor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore