Lajme

Presidenti i Republikës Çeke në Beograd: U përpoqa që ta revokoja njohjen e Kosovës, kam kërkuar falje për bombardimin e NATO-s


Presidenti cek, Milosh Zeman

Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, që po qëndron për një vizitë zyrtare në Beograd, ka deklaruar se ai është përpjekur që ta revkojë njohjen e Kosovës, porse përkundër përpjekjeve nuk mundi ta bëjë, sepse fituan forca të tjera politike në zgjedhjet çeke.

“Unë nuk jam diktator, jam president i zgjedhur në mënyrë demokratike, u përpoqa ta bëj Republikën Çeke të revokojë njohjen e Kosovës, por situata politike ndryshoi dhe forcat që e njohën Kosovën fituan”, deklaroi Zeman.

Presidenti çek shtoi se “e kam konfirmuar se Çekia asnjëherë nuk ka emëruar ambasador në Prishtinë dhe se ka qenë vendim edhe i ish-presidentit të Republikës Çeke, Vaclav Havel”.

Ai ka përsëritur deklarimin e tij të para dy vitesh se i kërkon falje Serbisë për përfshirjen e Çekisë në bombardimin e Serbisë nga NATO në kohën e luftës në Kosovë.

“Dy vjet më parë thashë se kërkoj falje për faktin që Çekia dha pëlqimin që avionët e NATO-s të fluturonin mbi qellin tonë gjatë bombardimeve të Serbisë. Unë e thashë me qëllim në Pragë”, deklaroi Zeman.

“Kërkova falje vetëm një herë në jetën time, atëherë, dhe kjo ishte në Pragë, nëse do ta kisha thënë në Beograd, do të mund të ishte interpretuar ndryshe nga politikanët çekë dhe mediat”, vazhdoi arsyetimin para mediave serbe Zeman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore