Lajme

Presidenti i Lituanisë i kërkon Suedisë dhe Finlandës të bashkohen me NATO-n


Përfshirja e Finlandës dhe Suedisë në NATO do të rriste sigurinë e shteteve baltike dhe do të përforconte aleancën ushtarake perëndimore.

Kështu ka pohuar presidenti i Lituanisë, duke u kërkuar dy vendeve nordike që të mos humbin kohë duke aplikuar.

Sipas tij, Moska kishte mbajtur armë të tilla në enklavën e saj të Kaliningrad-it për shumë vite dhe se Finlanda dhe Suedia po i përgjigjeshin vetëm agresionit rus.

“Aderimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO do të përmirësonte situatën e sigurisë në rajonin e Balltikut. Ne do të jemi në gjendje të mbikëqyrim dhe kontrollojmë më mirë rajonin nga pikëpamja ushtarake. Por kjo gjithashtu do të forcojë NATO-n si një organizatë”, ka thënë Nauseda.

Të dy vendet janë anëtarë të BE-së, por kanë qëndruar jashtë NATO-s, duke besuar se marrëdhëniet me Rusinë u shërbyen më mirë duke mbetur jashtë aleancës.

Mirëpo, Finlanda ka ndryshuar dhe do të aplikojë për anëtarësim në NATO në javët e ardhshme.

Kurse Suedia po shqyrton nëse do të ndjekë shembullin, pasi të dyja vlerësojnë se si t’i përgjigjen pushtimit rus të Ukrainës.

Në dy vendet nordike, opinioni publik ka lëvizur me shpejtësi në favor të anëtarësimit në aleancë, duke i shtyrë politikanët si në Helsinki ashtu edhe në Stokholm të marrin vendime të shpejta.

Këtë javë, Rusia ka deklaruar se do të detyrohet të forcojë kufijtë e saj me aleancën, e cila do të dyfishohej në gjatësi nëse Finlanda anëtarësohej.

Dmitry Medvedev, ish-presidenti i Rusisë, ka paralajmëruar gjithashtu se armët bërthamore do të zhvendoseshin në Baltik.

“Ndoshta mund të ketë ndonjë retorikë agresive nga ana e Rusisë, ndoshta edhe disa vendime për të rritur praninë ushtarake. Gjithsesi, rajoni i Kaliningradit është ndoshta rajoni më i militarizuar në Evropë dhe armët taktike bërthamore janë atje. Nuk mendoj se duhet të reagojmë ndaj kësaj retorike”, ka thënë Nauseda.

Sipas tij, Finlanda dhe Suedia “nuk mund të humbin kohë dhe duhet të zbatojnë vendimet sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar se ata e shohin se “retorika e regjimit të Putin-it po bëhet gjithnjë e më agresive”.

Sakaq, zyrtarët në Helsinki kanë zbuluar se Finlanda dëshiron të marrë një vendim përpara samitit të NATO-s në qershor në Madrid.

Vendet baltike do të dëshironin që ishulli suedez Gotland, i njohur zakonisht si një aeroplanmbajtëse në Detin Baltik, të ishte pjesë e NATO-s, si dhe ushtria finlandeze.

Presidenti i Lituanisë miratoi një propozim nga kreu i NATO-s për të shtuar batalionet prej një mijë trupash në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Po ashtu Nauseda ka mbështetur thirrjen e Kaja Kallas, kryeministrit të Estonisë, për NATO-n që të ndryshojë misionin e policisë ajrore në Baltik në atë të mbrojtjes ajrore, duke e lejuar atë të rrëzojë avionët armik nëse është e nevojshme.

Lituania gjithashtu po rrit këtë vit shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të produktit të brendshëm bruto, shumë mbi objektivin prej dy për qind të NATO-s.

Sipas Nauseda, paratë do të shpenzohen jo vetëm në pajisje të reja, por në infrastrukturë dhe akomodim për trupat e huaja.

Ai ka theksuar se Ukraina ka nevojë për ndihmë jo vetëm me raketa, por edhe me rindërtimin e vendit dhe hapjen e korridoreve logjistike për ta lejuar atë të eksportojë mallra.

Nga ana tjetër, ka akuzuar Rusinë për “kryerje të qëllimshme dhe cinike gjenocidi kundër kombit ukrainas” dhe ka paralajmëruar se udhëheqësit në Moskë do të mbaheshin përgjegjës.

“Do të shohim që asgjë nuk harrohet”, ka ravijëzuar Nauseda.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore