Shqipëria

Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Roshanos


Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë edhe në komunën e Roshanos, ku u takua me autoritetet vendore të komunës si dhe rajonit të Abrucos, me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos, por edhe me diasporën e re shqiptare të vendosur aty në tre dekadat e fundit.

Në këtë takim, Presidenti Begaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Roshanos, Simone Palozo.

Në fjalën e mbajtur, Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e komunitetit arbëresh të Vila Badesës, që kanë ditur të ruajnë gjuhën, kulturën, traditat e të parëve.

“Shumë faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore që organizuat me rastin e ardhjes time në Vila Badesa, dhe për më tepër të organizuar në këtë Kishë simbol të arbëreshëve dhe krenarie për çdo shqiptar”, tha në fjalën e tij Presidenti Begaj.

Duke folur për atmosferën familjare që çdo shqiptar përjeton në Vila Badesa, Presidenti Begaj u shpreh se “sheshi, kisha, rrugët, busti i Kryezotit të Arbërit, shtëpitë, gatimi – të gjitha rrezatojnë trashëgiminë tuaj arbërore dhe për këtë ju jemi vërtet mirënjohës”.

Kreu i Shtetit falënderoi autoritetet e rajonit të Abrucos për ndihmën që i kanë dhënë përherë diasporës shqiptare që të integrohet në shoqërinë italiane.

“Praktikisht në Itali jetojnë më shumë se gjysëm milioni shqiptarë, të cilët janë pjesë e shoqërisë italiane, shumë mirë të integruar në këtë shoqëri”, nënvizoi Begaj.

Arbëreshët po ashtu edhe shqiptarët e ardhur pas viteve ’90, asnjëherë nuk kanë qenë të rrezikuar nga asimilimi i gjuhës së tyre apo traditat e tyre.

Presidenti shprehu gëzimin e tij që tashmë në këshillat komunalë ka shqiptarë të zgjedhur, si dhe që në Pescara ishte hapur për herë të parë një shkollë shqipe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore