Shqipëria

Presidenca tender abuziv për pajisjet e transmetimeve live


Abuzimi i zbuluar gjatë kryerjes së procedurave nga Komisioni i Prokurimeve Publike lidhur me tenderin e Presidencës për blerjen e pajisjeve të transmetimeve live, ka çuar në anulimin e rezultatit të garës. Institucioni i Presidencës ka vendosur që për ngritjen e studios të transmetimeve direkte të shpenzojë 13 milionë lekë nga buxheti. Kjo vlerë do t’i shkojë kompanisë që do të fitojë garën.

Në mbledhjen e datës 16 dhjetor 2020, Komisioni i Prokurimeve Publike, shqyrtoi ankesën me objekt shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për skualifikimin e ofertës së operatorit ekonomik “PC Store shpk”. Tenderi “Blerje sistem transmetimi audio dhe video për mediat në Institucionin e Presidentit të Republikës për vitin 2020” e ka fondin limit 1 milion e 291 mijë 666 lekë (pa TVSH), zhvilluar në 2 tetor 2020.

Nga verifikimi në sistemin e prokurimit elektronik, rezulton se më 16 tetor 2020 është kryer vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. “PC Store” sh.p.k ka afruar 1 milion e 240 mijë lekë, por është skualifikuar. Arsyeja e heqjes nga gara është se operatori ekonomik nuk ka paraqitur kontrata të ngjashme për furnizime të mëparshme.  Në datën 22 tetor 2020, kompania ankimuese ka paraqitur fillimisht shkresat pranë Presidencës duke kundërshtuar vendimin e KVO-së.

“Në mënyrë të veçantë, i drejtohemi Titullarit të Autoritetit të Komisionit të vendosë ligjshmëri në këtë proces prokurimi, duke verifikuar edhe njëherë dokumentacionin e paraqitur nga ana jonë në tender”, thuhet në ankesën drejtuar Presidencës. Në arsyetimin e anulimit të tenderit nga KPK-ja, thuhet se eksperiencat e ngjashme janë paraqitur nga operatori, prandaj nuk justifikohet përjashtimi i tij nga gara. Autoriteti Kontraktor ka detyrimin ligjor të garantojë mirëpërdorimin e fondeve publike. Dhe me vetëdije ka shkelur parimet dhe qëllimet e prokurimit publik”, shkruhet në vendimin adresuar Presidencës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore