Lajme

Presidenca e Kosovës për Albanian Post rreth dokumentit për ndryshim të kufijve – kemi biseduar edhe me Brukselin, është i rremë  


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Zyra për media e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se lajmi i publikuar për një plan për ndryshimin e kufijve në Ballkan është i rremë.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina tha se nuk mund t’i komentojnë artikujt e mediave.

Madje sipas tij ekzistenca e një plani të tillë është mohuar edhe nga qeveria sllovene.

“Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë, ndaj ekzistenca e tij është mohuar nga autoritetet sllovene”, tha Kupina.

Këtë mendim zyrës se Presidentes ia kanë forcuar edhe bisedat me zyrtarët të Bashkimit Evropian.

“Po ashtu, një gjë të tillë e kemi konfirmuar edhe pas bisedave që kemi pasur me Brukselin”, shtoi ai.

Sipas Kupinës, qëndrimi i Osmanit për këtë çështje është tashmë i njohur për opinion.

“Nuk pranojmë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë lloj dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Republikës së Kosovës, që prekë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të saj”.

Megjithatë, lajmi për dokumentin nuk është i rremë, meqë ai është publikuar në disa media në Slloveni, Bosnje dhe një kopje të dokumentit e ka publikuar edhe Albanian Post.

Autoritet sllovene nuk kanë mohuar as dokumentin si të tillë, por kanë mohuar që ai rrjedh prej tyre.

Teksti i botuar në median sllovene, thotë se dokumentin ia ka dorëzuar kryeministri slloven, Janez Jansha, Presidentit të Këshillit Evropian Charlles Michel.

Dhe këtë informacion brenda lajmit e ka mohuar përmes një cicërime në Twitter kryeministri slloven.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore