Lajme

Presidenca çeke për AP: Liberalizimi i vizave lajm i madh për Kosovën dhe rajonin


Edita Hrdá, Ambasadore, Përfaqësuese e Përhershme e Republikës Çeke në BE

Për Presidencën Çeke në Bashkimin Evropian, Këshilli, më saktësisht Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Unionit, kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sipas përfaqësueses së përhershme të Republikës Çeke në Bashkimin Evropian, Edita Hrda, ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin.

Pas këtij vendimi, shpjegon ambasadorja çeke Hrda për Albanian Post, Këshilli do të nisë negociatat me Parlamentin dhe Komisionin Evropian për të finalizuar tekstin.

“Presidenca çeke mirëpret marrëveshjen e arritur në nivel Këshilli dhe vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve relevantë për arritjen e këtij rezultati”, ka thënë Hrda për Albanian Post.

“Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën dhe rajonin. Jam e bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.

Ilustrim

Presidenca çeke ka lavdëruar progresin e Kosovës në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizimin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve të liberalizimit të vizave”, ka thënë më tej Hrda për Albanian Post.

Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian këtë të mërkurë kanë rënë dakord për mandatin negociues të Këshillit për rregullacionin për udhëtimin pa viza për qytetarët që mbajnë pasaporta të Kosovës.

Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit do të fillojë negociatat me Parlamentin Evropian.

“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian që shpejt këtë premtim ta bëjmë realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kufirin e vet, menaxhimi i migrimit dhe siguria, dhe ne i besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të rritet në të ardhmen”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme të Cekisë, Jan Lipavsky.

Pa viza nga 1 janari 2024

Ekskluzive: Është arritur pajtim për liberalizimin e vizave për Kosovën – “punë e kryer”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore