Zgjedhjet në Kosovë

Premtimet e ‘Çlirimtarëve’


Tubim i Nismës Socialdemokrate

“Me Çlirimtarët” është slogani i Nismës Socialdemokrate, ndërsa kauza e tyre për veteranët është edhe pjesë e programit zgjedhor të kësaj partie.

Kështu ka thënë sekretari i përgjithshëm i Nisma-s, Bilall Sherifi, sipas të cilit do të lejohen që të gjithë veteranët që marrin mbështetje financiare nga shteti, të kenë edhe të drejtë pune në administratën shtetërore apo sektorin privat.

“Ne do t’i zëvendësojmë  pensionet e tyre [e veteranëve] me përfitime financiare”, ka thënë Sherifi, duke shtuar se “do të ndryshojmë ligjin dhe do të lejojmë që të gjithë veteranët që marrin mbështetje financiare, të kenë drejtë pune”.

Në këmbim të besimit të qytetarëve, Sherifi shpalosi premtimet e partisë së tij.

Ndër prioritetet e para renditi vaksinimin e qytetarëve, por pa dhënë afate kohore.

“Ne do të sigurojmë vaksinën për Covid-19 shpejt për të gjithë, dhe e njëjta do të jepet falas”.

Ai shtoi që do të iniciohet një program i ndihmës emergjente, në mënyrë që t’i përkrahin sektorët që janë goditur më së shumti nga pandemia.

“Do të ndërtojnë tre spitale rajonale dhe do të përkujdesjen për mungesën e të punësuarve nga stafi mjekësor e cila është problem në rritje”.

Po ashtu, Nisma ka premtuar se do t’u ofrojë marrëveshje studentëve të mjekësisë, të cilëve do t’ua mbulojnë shpenzimet e studimeve, nëse premtohet se pesë vitet e ardhshme do të qëndrojnë në Kosovë pas specializimit.

Nisma ka bërë premtime edhe për bujqit. Veç tjerash kjo parti ka premtuar se do t’i rrisin subvencionet për 50%.

“Do të krijojmë agrobankën, e cila do të ofrojë kredi me interes 2 për qind për bujqit”.

Partia e Fatmir Limajt, ka premtuar që deri në vitin 2022 do të rrisë pagën minimale në 300 euro – pretim që pothuajse e kanë bërë të gjitha partitë.

Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro.

Gjithashtu, ata kanë premtuar se do të legalizojnë punonjësit të cilët janë pa kontrata pune, dhe do të vendosin taksë zero në të ardhura për të gjithë ata që janë tu punësuar për herë të parë nën moshën 35 vjeçare.

Sherifi ka bërë premtime edhe për pushimin e lehonisë dhe kopshtet për fëmijë.

“Do të sigurojmë pushim për të dy prindërit, për katër muaj pas përfundimit të pushimit të lindjes gjatë vitit të parë”.

“Do të sigurojmë më shumë kopshte për fëmijë, duke i adoptuar objektet e braktisura shkollore”, premtoi sekretari i partisë.

Bilall Sherifi foli edhe për gjenocidin e Serbisë të kryer gjatë luftës në Kosovë e cila është një nga prioritetet e Nismës.

“Do të angazhohemi për njohjen ndërkombëtare të gjenocidit, që Serbia e ka bërë në Kosovë. Dhe do të këmbëngulim që të ndëshkohen ata të cilët kryen këtë gjenocid”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore