Sport

Premier Liga zbret në fushë për ndeshjet e javës së 18-të


Premier Liga angleze do të fillojë të martën javën e 18-të të saj, me tre ndeshje. Sheffield United-i do të presë Newscastle-n, Burnley do të presë Manchester United-in dhe Wolverhampton-i pret Everton-in.

Ndeshja e hapëse do të nisë në orën 19:00 me sfidën Sheffield United-Newcastle.

Vendasit e Sheffield-it kërkojnë që të marrin fitoren e parë për këtë sezon, të nisur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Pas 17 javësh të luajtura, Sheffield-i ka marrë vetëm dy barazime dhe e shikon veten në vendin e fundit të tablës së renditjes me dy pikë.

Newcastle-i është në pozita pak më të mira, pasi pas 17 javësh ka arritur të marr pesë fitore, katër barazime dhe shtatë humbje (një ndeshje më pak).

Janë 19 pikë për qymyrxhinjtë, që aktualisht renditen në vendin e 15-të.

Në pesë ndeshjet e fundit, Sheffield-i ka katër humbje dhe një barazim, ndërsa Newcastle-i ka tre humbje dhe dy barazime.

Dy sfidat e fundit me njëra-tjetrën, në sezonin e kaluar kanë përfunduar me rezultatet, Newcastle-Sheffield 3-0 dhe Sheffield-Newcastle 0-2.

Callum Wilson-i sulmuesi i Newcastle është lojtari më produktiv në këtë ndeshje, me tetë gola dhe tre asiste në 14 ndeshje të luajtura.

Mbrojtësi Ethan Ampadu është lojtari më i vlerësuar tek Sheffield-i me notën 6.97, kurse te Newcastle-i më i vlerësuar është Callum Wilson-in me notën 7.14.

Sfidat e tjera të ditës së martë do të luhen në orën 21:15.

Burnley i vendit të 16, kërkon që të bëjë suprizën, për të ndaluar ecurinë pozitive të rezultateve të Manchester United-it, që ndan vendin e parë me Liverpool-in.

Vendasit kanë 16 pikë në 15 javë të luajtura, ndërsa për miqtë janë 33 pikë në 16 javë të luajtura.

Në pesë ndeshjet e fundit Burnley ka tre fitore, një humbje dhe një barazim. United-i në pesë ndeshjet e fundit ka katër fitore dhe një barazim.

Dy sfidat e sezonit të kaluar, kanë përfunduar me rezultatet, Burnley-Manchester United 0-2 dhe Manchester United-Burnley 0-2.

Lojtari më i rrezikshëm i sfidës është Bruno Fernandes-i, mesfushori i avancuar i United-it, që në 16 javë, ka arritur të shënoi 11 gola dhe ka dhuruar shtatë asiste.

Marcus Rashford-i është lojtari tjetër më i rrezikshëm në këtë sfidë. Për sulmuesin e United-it janë shtatë gola dhe katër asiste, në po 16 javë.

Chris Wood-i është lojtari më produktiv i vendasve, që ka shënuar tre gola deri më tani.

Ben Mee-u është lojtari më i vlerësuar për vendasit, me notën 7.18, ndërsa për miqtë është Fernandes-i me notën 7.74.

Sfida tjetër e orës 21:15, do të jetë  ajo që cilësohet si sfida më e fort e ditës.

Wolves-i i Nuno Espirito Santo-s përballë Everton-it të Carlo Ancelotti-t.

Ujqërit momentalisht renditen në vendin e 13, me 22 pikë, pas 17 ndeshjesh. Everton-i renditet në vendin e shtatë me 29 pikë, por me një ndeshje më pak.

Në pesë ndeshjet e fundit Wolves-i ka një fitore, dy barazime dhe dy humbje, ndërsa Everton-i ka katër fitore dhe një humbje.

Dominic Calvert-Lewin është lojtari që mund të cilësohet si më i rrezikëshmi, në këtë sfidë. Sulmuesi i Everton-it, në 16 ndeshje ka realizuar 11 gola.

Raul Jimenez, që është mungesa e madhe për Wolves-in dhe Pedro Neto, janë shënuesit më të mirë për vendasit me nga katër gola.

Neto është dhe lojtari me vlerësimin më të lartë te Wolves-i me notën 7.12, ndërsa për miqtë më i vlerësuari është James Rodriguez-i me notën 7.7.

Dy ndeshjet e fundit, që i përkasin sezonit të shkuar të Premier Ligës, mes këtyre ekipeve kanë përfunduar në shifrat, përkatesisht Everton-Wolves 3-2 dhe Wolves-Everton 3-0.

Të mërkurën pritet të luhen dy sfida të tjera. Mancheser City i Pep Guardiola-s kundër Brighton-it dhe Tottenham-i i Jose Mourinho-s kundër Fulham-it.

Sfida të lehta në letër për Guardiola-n dhe Mourinho-n, të cilët kërkojnë vetëm fitoren, për të qenë pjesë e garës për titullin kampion.

Te enjten Arsenal-i luan kundër Crystal Palace-s. Topçinjtë e Mikel Arteta-s, janë në një moment të mirë dhe do kërkojnë me patjetër që ta ruajnë ecurinë pozitive./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore