Sport

Premier League/ Tottenham-i ngec me Southampton-in, West Ham-i rikthehet te fitorja


Kanë përfunduar tre ndeshjet e orës 16:00 në Premier League-n angleze për këtë të martë. West Ham-i dhe Crystal Palace ia kanë dal të marrin tri pikët. Tottenham-i nuk ka shkuar më shumë se një barazim me Southampton-in.

Ndeshjet u luajtën për javën e 20 të kampionatit. Sfidat mes Arsenal-it dhe Wolverhampton-it, si dhe Leeds-it me Aston Villa-n u shtynë për një tjetër datë.

Tottenham-i barazoi në shifrat 1-1 me Southampton-in e Armando Brojës. Ky i fundit u fut në fushë nga minuta e 71, pa mundur të lërë gjurmë.

Golin e parë të takimit e shënuan “shenjtorët”. Në minutën e 25, ishte kapiteni, James Ward-Prowse që e dërgoi topin në rrjetë.

Mbrojtësi, Mohammed Salisu shkaktoi penallti dhe la vendasit me 10 lojtarë në fushë në minutën e 39. Dy minuta më vonë, penalltia shndrohet në gol nga Harry Kane.

Kane do të shënonte përsëri në minutën e 53, por goli do të anulohej nga VAR-i, duke u cilësuar si i parregullt.

West Ham-i është rikthyer te fitorja në Premier League, pas humbjes me Southampton-in në ndeshjen e fundit. Ata fituan me rezultatin 4-1 në transfertë përballë Watford-it.

Golin e parë të takimit do e shënonin vendasit me anë të Emmanuel Dennis-it, në minutën e katërt. Dy gola të shpejtë në minutën 27 dhe 29, me autorë Tomas Soucek-un dhe Said Benrahma-n do të sillnin përmbysjen e rezultatit.

Në minutën e 49, VAR-i ndërhyn duke anuluar një gol të West Ham-it, të cilin e shënoi Jarrod Bowen-i. Vetëm shtatë minuta më vonë, VAR-i ndërhyn përsëri dhe akordon 11 metërsh në favor të West Ham-it.

Penalltia ekzekutohet saktë nga Mark Noble në të 58 minutë. Në minutat e fundit të takimit, 90+2, Nikola Vlasic shënon dhe vulos shifrat në 4-1.

Crystal Palace fitoi me rezultatin e pastër 3-0 përballë Norwich-it të Milot Rashicës. Ky i fundit mungoi në këtë takim, për shkak dëmtimi.

Të tre golat e sfidës u shënuan në pjesën e parë. Odsonne Edouard-i në minutën e tetë, Jean-Philippe Mateta në të 38 minutë dhe Jeffrey Schlupp-i në të 42 minutë ishin autorët e golave.

Premier League do të luajë në mbrëmje sfidën e fundit për këtë të mërkurë. Leicester-i do të përballet me Liverpool-in, duke filluar nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore