Sport

Premier League/ Chelsea me një synim, rikthimin te fitorja


Një ndeshje do të luhet në Premier League-n angleze këtë të martë. Chelsea do të përballet në transfertë me Brighton & Hove Albion-in.

Dy skuadrat do të ndeshen në stadiumin “merican Express Community”, duke filluar nga ora 21:00. Kevin Friend-i do të jetë gjyqtari kryesor i takimit.

Blutë vijnë në këtë përballje pas disa momentesh jo shumë të mira në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel-i ndeshjen e fundit e humbi 1-0 përballë Manchester City-t.

Ndërkohë, dy ndeshjet e mëparshme i kishte barazuar 2-2 përballë Liverpool-it dhe 1-1 përballë Brighton-it.

Në sfidën e luajtur në “Stamford Bridge” me Brighton-in, që ishte dhe e fundit mes dy skuadrave, Romelu Lukaku shënonte për vendasit. Ndeshja barazohej në minutën e 90+1 nga Danny Welbeck-u.

Momentalisht, Chelsea renditet në vendin e tretë në Premier League, me 43 pikë, pas 22 javësh të luajtura.

Dy pikë më shumë ka Liverpool-i i vendit të dytë, që ka dhe një ndeshje më pak. City i vendit të parë ka 13 pikë më shumë se blutë.

Brighton-i renditet në vendin e nëntë me 28 pikë. Por, ata kanë dy ndeshje më pak.

Sfida tjetër, që ishte programuar për t’u luajtur këtë të martë mes Burnley-t dhe Watford-it është shtyrë për shkak të koronavirusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore