Lajme

Precedenti që tregon si mund t’i merret prona Kishës Ilegale në kampusin e UP-së


Kisha Ilegale në kampusin e UP-së

Në ditën e shënimit të Lidhjes së Prizrenit, kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur të provokojë shqiptarët dhe shtetin e Kosovës, duke mbajtur meshë në Kishën politike të ndërtuar gjatë viteve të apart’heidit në Kosovë nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

Kisha Ortodokse Serbe, si një institucion fetar, asnjëherë nuk është distancuar nga ndërtimi i Kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përkundrazi ajo ishte e inkriminuar edhe gjatë luftës, por edhe tani në politikën serbe.

Madje, kjo kishë ka vazhduar të prodhojë “dokumente” dhe “libra” me anë të propagandës së saj në kurriz të shqiptarëve, duke i fajësuar për kinse krime ndaj sebëve.

Më së miri kjo shihet në një libër me titull “Trashëgimia e krishterë e Kosovës dhe Metohisë – zemra historike dhe shpirtërore e popullit serb”.

Mirëpo, historiani Dr.Shpend Avdiu, e ka evidentuar se paraqitjet e “argumenteve” serbe në këtë libër – duke pasqyruar edhe me anë të një fotografie se kinse shqiptarët përkatësisht Balli Kombëtar ka bërë krime ndaj serbëve, përkatësisht ndaj një prifti serb – rezultojnë të jenë fiktive dhe propagandistike.

Historiani Avdiu ka gjetur se fotografia e paraqitur në librin “Trashëgimia e krishterë e Kosovës dhe Metohisë – zemra historike dhe shpirtërore e popullit serb” gjendet edhe në një revistë tjetër shumë më të hershme ku është botuar më 20 dhjetor të vitit 1912 dhe 2 janar të vitit 1913 në revistën “Ilustrovna ratna kronika”, pra disa dekada para se të formohet Balli Kombëtar.

Studiuesi Avdiu konsideron se këto ilustrime dhe këto “lidhje” janë fiktive dhe, si të tilla, i shërbejnë vetëm propagandës serbe, e cila është e shtrirë edhe në Kishën Ortodokse Serbe, ku nëpërmjet saj mundohet ta shtrembërojë realitetin.

“Kjo i shërbente propagandës serbe për t’i paraqitur shqiptarët si vrasës të priftërinjve serbë dhe në të njëjtën kohë për të mbuluar krimet serbe në Kosovë në vitin 1912”.

Ai ka thënë se Kisha Serbe ka dy misione.

“Propagandën dhe urrejtjen ndëretnike përmes falsifikimeve historike”.

Tutje Avdiu konsideron se është obligim qytetar i secilit të angazhohet që të përgënjeshtrojë pretendimet me anë të argumenteve.

“Prandaj, është detyrë e të gjithëve që të reagojnë ndaj veprimeve shoviniste të këtij institucioni, qëllimi i vetëm i të cilit është politika dhe jo feja”, këtë ai e ka shkruar në një postim në rrjetin social ‘Facebook’.

Po ashtu, lidhur me meshën e datës 10 qershor të mbajtur në Kishën brenda kampusit universitar në Prishtinë, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin e saj social edhe studiuesja, Nora Weller.

Ajo ka tërhequr një paralele mes Kishës ilegale serbe të ndërtuar në një pronë private në kohën e luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe Kishës në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Vendimi i Gjykatës Evropiane në favor të pronares së tokës në Republika Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës ishte i drejtë për të, andaj autoritetet në Kosovë duhet kërkuar drejtësi edh enë qarqet ndërkombëtare ashtu siç kishte vepruar Fata Orloviq.

Sipas saj, kjo Kishë nuk ka të bëjë as me pakon e Ahtisarit.

“Një objekt i tillë është ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës. Është objekt që nuk ka të bëjë me planin e Ahtisarit dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në pakon e Ahtisarit. Është objekt që duhet të trajtohet dhe t’i referohemi si “objekt” i ndërtuar gjatë kohës së luftës në tokën e gabuar, subjekti që është pronar i tokës është në proces gjyqësor për këtë çështje”, ka shkruar ajo.

Studiuesja Weller konsideron se gabimet e institucioneve të Kosovës, tanimë e kanë një precedent për të nisur procedurat.

“Gabimet e institucioneve deri sot mund të rishikohen tani që ekziston një vendim precedent në ECHR [European Convention on Human Rights]. Nuk duhet të spekulojmë sipërfaqësisht sepse ashtu i japim status këtij objekti”, ka shkruar ajo.

Një ekstremist shqiptar duke vrarë një Abat Ortodoks Serb të Devič-Damaskin Bošković: Nacionalisti pro-nazist shqiptar (Balli Kombëtar dhe milicia të tjera shqiptare) bëri krime të tmerrshme kundër serbëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore në prani të forcave pushtuese gjermane dhe italiane. Gjatë okupimit të Luftës Botërore 11, rreth 15,000 Serbë u vranë dhe afërsisht 100,000 u dëbuan nga Kosova dhe Metohia. Një numër i madh i fshatrave dhe kishave serbe u shkatërruan dhe u dogjën, veçanërisht në Metohi. Ballistët vranë gjithashtu 24 priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe dhe Peshkopin Seraphim. i Rashkës dhe Prizrenit u dërgua në një kamp burgu në Shqipëri, ku vdiq në internim thuhet në faqen 730 të librit ‘The Christian Heritage of Kosovo and Metohija. Historical and Spiritual Heartland of Serbian People”.

 

Autorë të librit janë: Dusan T. Batakovic; Gojko Subotic; Dimitrije Bogdanovic; Alex Dragnich; Slavko Todorovich; Thomas A. Emmert; Sima M. Cirkovic; Arthur Evans; G. K. Chesterton; Bosky Bojovic; Atanasije Jevtic; Alexander F. Hilferding; Rebecca West; Stamatis Skliris; Radovan Samardzic; Dimitrije Djordjevic; Sava Janjic; Andrew Warmth; F. W. Harvey, and others.

Redaktuar nga: Peshkopi Maxim (Vasiljevic) Botuar nga: Sebastian Press Bashkë-botues: Instituti për Studime Ballkanike, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, Beograd; Këshilli Episkopal i Kishës Ortodokse Serbe në Amerikën Veriore dhe Jugore; Fakulteti i Teologjisë Ortodokse, Universiteti i Beogradit; Fondi BLAGO; Serbia Americana; Interklima-grafika, Vrnjci.

Në këtë projekte janë të përfshira Akademia, Kisha Serbe, Instituti i Studimeve Ballkanike.

Po ashtu, i përfshirë në këtë projekt dhe disa projekte të tjera propagandistike të Kishës Ortodokse Serbe është edhe Sava Janjiç.

Lidhur me meshën e mbajtur në Kishë brenda kampusit universitar të UP-së ka pasur reagime të shumta si nga shoqëria civile por edhe nga partitë opozitare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore