Kosova

Prapë zgjedhje në Tërnoc – Kamberi: Jemi në luftë


Shaip Kamberi

Kandidati për deputet dhe bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve – Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, në vigjiljen e ripërtëritjes, për të pestën herë me radhë, të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit, përmes një statusi në rrjetin e tij social ju është drejtuar bashkëfshatarëve të tij.

Ai përveç se ka njoftuar se ripërsëritja e zgjedhjeve do të organizohet të enjten e 30 qershorit, këtë të fundit e ka cilësuar si një betejë në mes të pabarabartëve.

“Betejë të rëndësishme me të gjithë ata që nuk dëshirojnë përfaqësimin tonë dinjitoz, me ata që shqiptarët i dëshirojnë për t’i numëruar si statistikë, por jo edhe për t’i parë aktiv politikisht”, ka shkruar Kamberi.

Për të, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë në një luftë të drejtpërdrejt me përfaqësuesit politik serb, të cilët me çdo kusht dëshirojnë t’i shohin ata politikisht, jo aktiv.

“Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe të drejta jetike”, ka shtuar ai

Megjithatë, lufta të cilës po i referohet, Kamberi, nuk është një luftë për të rehatuar jetën e një personi, por është diçka më tej, është luftë për mbijetesë.

“Fati i një personi është apsolutisht i parëndësishëm në raport me fatin tonë kolektiv. Në mesin e shumë të papunëve, edhe një më tepër nuk është diçka e veçantë e aq tragjike”.

Sipas politikanit shqiptarë, mos-suksesi në zgjedhjet e ripërsëritura nesër, nuk ka të bëjë me atë se u humb një vend pune, por se e humbëm zërin e arsyes dhe atë përfaqësues.

“Beteja jonë e nesërme, më së paku ka të bëjë me një vend pune, beteja jonë e nesërme ka të bëjë me rezistencën tonë politike, artikulimin e kërkesave tona në mënyrë të qartë e të drejtë, vazhdimin e luftës për jetë dinjitoze”.

Nënshtrimi dhe dorëzimi, sipas Kamberit, nuk është diçka që zgjedhin popujt e shtypur, e lëre më shqiptarët.

“Rezistencën ja kemi borxh dëshmorëve e gjeneratave e gjenerateve të njerëzve që janë flijuar për liri e drejtësi. Ja kemi borxh edhe atyre 9500 votave që i ka lista jonë në këto momente, të cilat do të shpërdohen pa 610 votat e lagjes së Strukarëve”.

Kamberi, më tej ka shkruar se nesër në kutitë e votimit tërnocasit duhet t’i japin legjitimitet betejës dinjitoze për liri, barazi e të drejta.

“Këtu më keni, jam në disponim me të gjitha kapacitetet e mia njerëzore e profesionale për të vazhduar angazhimin tonë të përbashkët për qëllimet e tona fisnike. Presim mbështetje maksimale për numrin 16 për Koalicionin e shqiptarëve të Luginës”, ka përfunduar ai.

Çka ndodhi?

Votimi në Tërnoc të Madh u shty për të enjten e 30 qershorit për shkak të një alarmi për bombë, por Kamberi kishte thënë se qendra e votimit nuk ishte hapur për shkak të një konflikti midis anëtarëve të këshillit zgjedhor.

“Interesi ishte që Partia Socialiste e Serbisë të ketë kontroll absolut mbi qendrën e votimit, dhe anëtarët tanë të këshillit të votimit të mbeten vetëm vëzhgues, dhe raporti për bombën erdhi vetëm pas orës 10, dhe kështu, në njëfarë mënyre, në mënyrë elegante e ndërpreu procedurën”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet e ripërsëritura më 27 maj në vendvotimin nr. 6 në shkollën fillore “Muharrem Kadri” në Tërnoc të Madh, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës fitoi 598 vota, 12 më pak se numri i nevojshëm për të fituar një mandat parlamentar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore