Lajme

Prapaskenat e vendimit që çuan në kallëzim penal për ministrin Sveçla – i dëmtuari e njoftoi kryeministrin, por s’u përfill nga Kurti


Xhelal Sveçla dhe Kallëzimi penal i dorëzuar ndaj tij.

Të hënën e 25 korrikut, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është dorëzuar një kallëzim penal kundër ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.

Kjo pas shkarkimit nga pozita e ushtruesit të drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra, i cili e akuzon Sveçlën për “cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, përveç kësaj Kodrës nga ministri i është kërkuar të premten e 22 korrikut të e liroj detyrën për zëvendësuesin e tij, ka bërë të ditur avokati i tij, Faton Fetahu, në një bisedë për Albanian Post.

“Sveçla i ka kërkuar Kodrës të premten që ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës tek zëvendësuesi i tij. Tani Kodra i ka dërguar një e-mail kryeministrit ku i thotë ‘zotëri kryeministër meqenëse rregullorja e qeverisë shprehimisht përcakton që vendimet e paligjshme të ministrave ka kompetencë t’i shfuqizojë qeveria dhe e dyta meqenëse ka një urdhër të paligjshëm ndaj meje që ta liroj zyrën atëherë zbatimi i urdhrave të paligjshëm është vepër penale’”, ka sqaruar Fetahu për AP.

“Ai ka thënë se ‘unë nuk mund të e zbatoj një urdhër të paligjshëm, prandaj kur zbatohet një urdhër i paligjshëm sipas ligjit njoftohet eprori i urdhërdhënësit që në rastin konkret është kryeministri”.

Kryeministri, këtë letër e ka pranuar të premten.

Kallëzimi penal i dorëzuar ndaj ministrit Sveçla.

Ndër të tjera, Kodra ka sqaruar se pse lirimi i zyrës kur ka ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës është jo ligjor.

“E drejta në ankesë nënkupton faktin se nga momenti i parashtrimit të ankesës, në rastin konkret siç kemi parashtruar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, pezullohet, do të thotë efekti është pezullues ndaj vendimit të tij i cili atakohet, pra në rastin konkret edhe po të donte zotëri Kodra ta lironte zyrën, ankesa e tij e parashtruar në Këshill e pezullon zbatimin e vendimit të ministrit, rrjedhimisht pamundëson që ai ta lirojë zyrën sipas kërkesës së Sveçlës dhe i ka treguar se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë”.

Ndryshe në kallëzimin penal të siguruar nga Albanian Post, avokati Fetahu thotë se nuk ka asnjë kusht ligjor që klienti i tij të shkarkohej.

“Personi i kallëzuar, në cilësi të personit zyrtar, përkatësisht si titullar i institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022, përmes të cilit, ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi qe i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emërimit të z. Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-se, me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.01.2018”, thuhet në kallëzimin penal.

Kallëzimi penal i dorëzuar ndaj ministrit Sveçla.

Avokati shton se në këtë kallëzim dëmi i shkaktuar nga ministri është vepër e dënueshme me gjobë dhe burgim prej 3 deri në 10 vjet burgim.

“Ministri ka mbivendosur ne raport me qeverinë, kur e ka shpërfillur zbatimin e Vendimit nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 22.01.2018, mbi bazën e te cilit ankuesi është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i AME-së pas një procedure standarde ligjore rekrutimi me mandat ligjor prej pese pesë (5) vitesh”.

Më 15 korrik, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka liruar nga detyra Fadil Kodrën, i cili ka pasur pozitën e ushturesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore