Lajme

Prapaskenat e takimit Biden-Putin


Nga përfundimi i takimit deri në deklaratat respektive të udhëheqësve, përballja mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, dhe Presidentit rus, Vladimir Putin,  pati disa prapaskena.

Aeroplani luksoz i Putin-it, “Flying Kremlin”

Putini u ul në Zvicër, për takimin me Joe Biden, me një avion luksoz 390 milionë paundësh “Flying Kremlin”.

Në bordin e avionit zyrtar “Ilyushin”, përveç mjeteve luksoze, gjenden një bar i kompletuar plotësisht, dhomat e gjumit dhe një palestër.

Dekori i brendshëm ka një stil neoklasik dhe tryeza e madhe e konferencës është e “larë” në ar, ndërsa sediljet ngjyrë kremi janë prej lëkure.

Për Putin-in është raportuar se ka përshkuar më shumë milje ajrore në zyrën e lartë sesa të gjithë udhëheqësit e tjerë rusë së bashku.

Avioni i tij i mahnitshëm është i aftë të kapë shpejtësi deri në 560 milje në orë dhe është prodhuar nga Shoqata e Prodhimit të Avionëve Voronezh.

Biden mbërriti në takim pas Putin-it

Biden mbërriti i dyti për fillimin e takimit. Vendimi për të dalë i dyti në një konferencë shtypi ka të ngjarë të ketë qenë e planifikuar. Kjo do t’i jepte mundësinë që ai të thoshte fjalën e fundit.

Zyrtarët amerikanë vendosën të mos lejonin të dy presidentët të ndanin “skenën”, siç bëri Putin-i dhe Trump në vitin 2018.

Besohet të ketë qenë një sinjal i një qëndrimi të ri më të fortë ndaj Rusisë. Por, disa nga kritikët e Biden thanë se vendimi për të mos u ballafaquar me Putin-in e bëri atë të dukej “i dobët”.

Biden, me “kopje” në takim

Presidenti amerikan është kapur teksa mban një letër të bardhë në dorë. Ai u përpoq ta fshihte nga vështrimi i Putin-it.

Biden ishte ulur këmbëkryq, ndërsa Putini ruajti një qëndrim të hapur, me duart në gjunjë.

Ndërsa ata vazhdonin të flisnin me zyrtarët e tyre, Biden mund të shihej teksa e vendoste letrën në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij.

Ende është e paqartë se çfarë përmbante fleta.

Biden e thirri Putin-in gabimisht Trump

Biden gaboi emrin e Presidentit rus me Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Kjo, ndërsa po thelloheshin diskutimet e samitit të shumëpritur në një konferencë shtypi.

Megjithatë e korrigjoi shpejt, përpara se të vazhdonte të fliste për diskutimet e tij gjatë takimit katër orësh.

“Kam kapur një pjesë të konferencës për shtyp të Presidentit Trump… Putin”, tha Biden.

Ndjesitë e Biden-it për Putin-in

Biden ka qenë shumë skeptik ndaj udhëheqësit rus për më shumë se 20 vjet. Më herët ka kritikuar ish-presidentin e SHBA-ve, George W. Bush, për pretendimin e tij se Putin-i është “i besueshëm”.

Një ish-zyrtar amerikan i tha Politico-s, përpara takimit të kësaj jave, se nuk ka “asgjë që Putin-i mund të bëjë që Biden ta pëlqejë”.

“Biden e sheh Putin-in si person racional, dikush që nuk kufizohet nga asnjë ndjenjë moraliteti, ose shqetësimi mbi të drejtat e njeriut, ose gjëra të kësaj natyre… thjesht një njeri i ftohtë dhe i vështirë”, thanë ata.

Dhurata e Biden-it

Vladimir Putin u largua nga samiti i së mërkurës me një palë syze “aviator” të bëra me porosi. Kjo ishte një dhuratë nga Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

“Aviatorët” që Biden i dhuroi Putin-it u prodhuan nga Randolph, i cili është i vendosur në Massachusetts.

Që nga partneriteti me ushtrinë amerikane në vitin 1978, kompania ka vazhduar të furnizojë forcat amerikane, së bashku me aleatët e saj të NATO-s, me “aviatorë”.

“Aviatorët” janë po ashtu një stil dallues te Biden, i cili shpesh shihet teksa i vesh.

Përveç syzeve të diellit, Biden i dhuroi Putin-it një skulpturë kristali të një bizoni amerikan nga prodhuesi New York Steuben Glass.

“Interpretim madhështor i një prej gjitarëve më madhështorë të kombit tonë dhe përfaqësues i forcës, unitetit, qëndrueshmërisë”, shkruante Shtëpia e Bardhë në pusullë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore