Lajme

Pranohen mbi 380 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë për Dragash


Ilustrim: Pako me fletëvotime.

Më 13 dhjetor, ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për kryetar të komunës së Dragashit.

Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar nga diaspora për kryetar të kësaj komune është 381.

Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e të martës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Nga pranimi i pakove deri me datën 13 dhjetor, ku edhe është përmbyllur procesi i votimit, përsëritjes së votimit jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Dragash, janë pranuar gjithsejtë 381 pako të supozuara me fletëvotime”, ka thënë Ahmetaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai ka sqaruar edhe procesin e fletëvotimeve të cilat janë të vlefshme dhe ato të cilat janë refuzuar.

“Aktualisht procesi i vlerësimit të pakove të supozuara është në proces. Dhe nga të dhënat preliminare kemi diku rreth 500 fletëvotime të cilat janë të vlefshme dhe me dhjetëra që janë të refuzuara. Bëhet fjalë për rreth 500 fletëvotime të cilat duhet të rinumërohen nga jashtë vendit”.

Sa i përket pagesave të trupave zgjedhore ai theksoi se janë në proces edhe për 22 të tjerë, ku është rekomanduar që KQZ të kryejë këto obligime.

“Nga lista bëhet fjalë për gjithsejtë 22 persona, të cilët akoma sekretariati nuk ka mundur t’i procesojë dhe rekomandohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që stafi i evidentuar në listë, të paguhet për punën që ka kryer si anëtar i këshillit të vendvotimeve dhe po ashtu të provohet edhe për punën që ka kryer qoftë staf i QNR-së apo edhe nëse nuk kanë qenë nga komunat përkatëse”.

Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj ka bërë të ditur edhe refundimin e depozitave të subjekteve politike.

“Janë 14 mijë euro të cilat duhet t’i kthehen buxhetit të Kosovës dhe gjashtë mijë euro të cilat duhet t’iu kthehen subjekteve politike të cilat kanë fituar nga një ulëse”, ka njoftuar Buleshkaj.

Dokument i lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi ka bërë të ditur se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të zëvendësohet me kandidatin, Halil Thaçi.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore