Lajme

Pranimi i propozimit franko-gjerman pason me një takim Kurti-Vuçiç, çfarë pritet të ndodhë?


Ilustrim

“Po-ja” e Qeverisë, gjegjësisht, e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për planin franko-gjerman dhe sinjali pozitiv i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për propozimin në fjalë ka “detyruar” të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të deklarojë se diskutimet tashmë “do të vazhdojnë në takime të nivelit të lartë”, pas një “Shuttle Diplomacy” disa mujore.

Një takim mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç’it në kuadër të dialogut në Bruksel i cili për bazament e ka planin franko-gjerman, sipas profesorit universitar, Arben Fetoshi, do të shënonte në mënyrë simbolike vetëm rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve, pa ndonjë rezultat konkret.

Ani pse shtetarët nga Kosova e Serbia në njërën anë e ndërkombëtarët në anën tjetër dhanë indikacione se plani franko-gjerman duhet të konkretizohet përmes firmës së liderëve deri në mars të këtij viti, profesori Fetoshi mendon se në këtë fazë ky takim i nivelit të lartë, i cili mund të ndodhë shumë shpejtë, nuk mund ta përmbyllë procesin me një marrëveshje.

“Prishtina do të vazhdojë të përballet me trysni për formimin e asociacionit. Nëse i referohemi pozicionit të ri të Kurtit për këtë çështje, atëherë dinamika e arritjes së marrëveshjes do të varet nga shkalla reale e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për ta pranuar Kosovën”, ka thënë Fetoshi për Albanian Post.

Ndryshe nga Fetoshi, ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, ka shprehur optimizmin e tij lidhur me rezultatin e një takimi Kurti – Vuçiç në Bruksel, i cili sipas tij mund të zhvillohet në javët në vijim.

Kurti e Vuçiç, minimalisht në këtë takim në kuadër të dialogut, sipas Arifit, do të dakordohen verbalisht për propozimin në fjalë.

“Besoj që takimi tashmë është përgatitur mirë nga Bashkimi Evropian, sepse është punuar intenzivisht muajve të fundit në marrjen e imputeve dhe propozimeve nga të dyja palët”, thotë ai për Albanian Post.

Rrethanat e krijuara nga zhvillimet e muajve të fundit shtyjnë Arifin të besoj se Serbia është e gatshme ta nënshkruaj planin franko-gjerman marrë parasysh faktin se i njëjti nuk përmban njohjen de jure të shtetësisë së Kosovës.

“Realisht plani franko-gjerman hap rrugën e Kosovës drejt integrimeve në strukturat euro-atlantike. Edhe pse për Kosovën ky plan nuk do të ishte një fitore e madhe, gjithë në këtë mes esenciale mbetet orientimi pro-perëndimor i Kosovës në aspektin ligjor”, ka shtuar ai.

Arben Fetoshi dhe Dritëro Arifi

Shefi i Qeverisë, pas takimit me ndërmjetësuesin e bisedimeve, Miroslav Lajçak, ditë më parë deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Pas “Po”-së Kurtit, i pari i cili përgëzoi atë ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në Twitter shkroi se “marrëveshja e përkohshme [propozimi franko-gjerman] do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin franko-gjerman, sepse top-diplomatët evropiano-amerikanë që i shkuan në zyrë javë më parë ia bënë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

“Po t’i kisha hedhur [planin franko-gjerman] dhe të thosha se nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja tjetër që do të na ndodhte është që nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, kishte thënë Vuçiç, duke shtuar se ai nuk do të pranonte të ishte presidenti që udhëheq një vend të izoluar.

Ndonëse Vuçiç’i nuk e ka thënë ende fjalën e tij të fundit, opinioni publik në Serbi këtë deklaratë të tij, menjëherë pas takimit me diplomatët ndërkombëtarë, e kishte interpretuar si pranim i planit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore