Zgjedhjet në Shqipëri

PPE shpreh mbështetje për Bashën, mundësi për integrim në BE


Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Donald Tusk në takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se pas gjithë këtyre viteve të fundit Shqipëria meriton ndryshim.

“Shumë shqiptarë janë larguar nga vendi. Kjo është një arsye më shumë që Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën për të gjithë qytetarët shqiptarë”.

Ai deklaroi se është i gatshëm të jap mbështetjen për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.

“Partia Demokratike dhe personalisht Lulzim Basha tashmë kanë provuar se mund të bëjnë shumë për Shqipërinë pasi bënë të mundur anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët.

Sipas tij, viti i kaluar ka shënuar skandale korrupsioni, krim të organizuar, një rrjedhje të madhe të trurit, blerje votash dhe papunësi.

“Partisë Demokratike i duhet shumica parlamentare për të pasur sukses. Thirrja ime sot për qeverinë është që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos përdor paratë e pista, presion mbi njerëzit dhe blerjen e votës për të prishur zgjedhjet”.

Ndërkohë, Lulzim Basha tha se prioritet është hapja e rrugës së negociatave.

“Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë por me mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e vendeve anëtare që janë pjesë e familjes sonë të madhe ne kemi qenë në gjendje të tregojmë se kur jemi të bashkuar në qëllim dhe jemi të përkushtuar për të ndërmarrë reforma të vërteta”.

David McAllister, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian theksoi se “përparimi drejt pranimit varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në të gjithë fushat themelore duke filluar me shtetin e së drejtës, funksionimin efektiv të institucioneve demokratike, të administratës publike si dhe ekonomisë”.

“Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë jetike për konsolidimin dhe rinovimin e demokracisë shqiptare dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore