Lajme

Pozitë e opozitë kërkojnë që të nis puna për sigurimet shëndetësore për Policinë dhe FSK-në


Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Peticione.

Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Peticione, kanë kërkuar që të iniciohet një nismë ligjore për sigurimet shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lidhur me këtë propozim janë pajtuar edhe pozita dhe opozita.

Kjo nismë është propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes Fatmir Humolli, i cili deklaroi se institucionet e sigurisë kanë nevojë për këto sigurime.

“Propozoj që me bë amendament që të bëhet sigurimi shëndetësor për policinë e FSK-në sepse ata janë në rrezik dhe kanë nevojë për këto sigurime”, tha ai.

Ndërsa, kjo nismë është përkrahur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj.

“Çështja e sigurimeve jetësore dhe shëndetësore është me vend. Nëse ne presim, mund ta bëjmë një iniciativë ligjore për me nis si projekt. Është shumë e nevojshme”.

Kurse, deputeti Enver Dugolli gjatë mbledhjes së komisionit propozoi që t’i bëhet një vizitë kufirit në Jarinjë.

“Propozoj që të dalim edhe të shkojmë ti vizitojmë veriun, në Jarinjë, me pa se sa po zbatohet ligji, problemet nëse kanë policia e Kosovës, prandaj propozoj që të shkojmë. Sa i përket propozimit të Humollit është i mangët”, deklaroi Dugolli.

Gjatë mbledhjes me të gjitha votat për dhe asnjë kundër u miratuan raportet me Rekomandime për “Projektligjin Nr. 08/L-l 73 për Sigurinë Kibernetike”, si dhe Raportin me Rekomandime për “projektligjin Nr. 08/L-l 66 për Tubimet Publike”, të cilat shkojnë për shqyrtim në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Nevoja për mungesën e një politike për sigurimin shëndetësor dhe jetësor të nëntë mijë policëve të Kosovës tregohet edhe pas sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Edhe pse në secilat palë zgjedhje premtohet për sigurime shëndetësor dhe jetësore të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma.

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin fondet.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore