Lajme

Pozicioni i Kosovës karshi Ballkanit të Hapur mbetet i “ngurtë”, nuk pritet të marrë pjesë në takimin e radhës në Ohër


Ilustrim

Kosova, pritet të refuzojë çfarëdo ftese për takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, i paraparë të mbahet më 7 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër një tjetër refuzues i kësaj iniciative, Mali i Zi, pritet të ndryshojë qëndrimin. Kështu të paktën ka paralajmëruar kryeministri malazez, Dritan Abazoviç.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, mendon se Ballkani i Hapur nuk i ndihmon Kosovës, në aspektin ekonomik dhe as atë të sigurisë, por e fuqizon Serbinë.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor, duhet të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Jemi kundër [Ballkanit të Hapur] dhe në mbështetje të Procesit të Berlinit. Kosova ka synim në të ardhmen të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të jetë në procese të bashkëpunimit të ngushtë me aleancën evropiane. Në këtë kuptim ne e shohim të panevojshëm krijimin e çfarëdo procesi që do të ishte i ngushtë dhe i cili do të shërbente Serbisë”, thotë ai.

Në anën tjetër, edhe pse mendon se Ballkani i Hapur nuk ka shumë dallim me Procesin e Berlinit, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thekson faktin se problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të natyrës tregtare dhe ekonomike, por politike.

“Dallimi fondamental do të thosha unë është se tek Procesi i Berlinit kemi garancitë evropiane, përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe Brukseli e dikton tempon e marrëveshjeve. Mirëpo ne duhet të jemi të qartë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i arsyes tregtare dhe ekonomike, mirëpo është i natyrës politike. Kemi shumë iniciativa rajonale, shumë prej tyre janë duplikifim i njëra-tjetrës”, thekson Çitaku.

Kundër pjesëmarrjes së Kosovës në Ballkanin e Hapur është edhe, Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, pasi sipas saj anashkalimi i Procesit të Berlinit nuk është në favor të saj.

“Ne konsiderojmë se tani veçse kemi mekanizma për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal. Ajo është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë nënshkruese të MSA-së dhe duhet t’iu përmbahen standardeve dhe specifikave që i garanton kjo marrëveshje. Në anën tjetër kemi edhe marrëveshjen e CEFTA, mirëpo që nuk po respektohet nga disa shtete karshi Kosovë”, ka thënë ajo.

Në fillim të muajit të ardhshëm do të mbahet takimi i radhës i liderëve rajonal të Ballkanit të Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Deri më tani, të tri shtetet pjesë e kësaj iniciative kanë nënshkruar disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi mes tyre.

Marrëveshjet e memorandumet e nënshkruara deri më tani kanë të bëjnë me heqjen e kontrolleve kufitare mes këtyre vendeve, për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave, për qasje të lirë në tregun e punës dhe për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore