Lajme

Portreti i rrallë i Francis Bacon mund të arrijë deri në 42 milionë dollarë në ankand


Një portret i rrallë i piktorit Francis Bacon do të dalë në ankand këtë muaj në Sotheby’s Londër për herë të parë.

“Study for Portrait of Lucian Freud” është pikturuar në vitin 1964.

U krijua si pjesa kryesore e një formati artistik me shumë pjesë nga Bacon dhe paraqet nga afër artistin britanik Lucien Freud, i cili dikur ishte një mik i tij.

Më vonë, nga mesi i viteve 1980, u bë armik i piktorit.

E gjithë vepra artistike prej tre pjesësh u ekspozua në Dublin, Stokholm dhe Hamburg menjëherë pas përfundimit të saj në vitin 1965.

Mirëpo, seria u nda përfundimisht me një pjesë anësore që tani i përket një muzeu në Jerusalem dhe tjetra në një koleksion privat.

Ankandi për atë që dikur ishte piktura e qendrës do të zhvillohet më 29 qershor në shtëpinë e ankandeve në Londër, me ekspertët që vlerësojnë se pjesa mund të arrijë deri në 42 milionë dollarë.

Piktura ka qenë e fshehur nga publiku në një koleksion privat arti për 40 vitet e fundit, sipas Sotheby’s, që do ta ekspozojë atë fundjavën para se të dalë në ankand.

Marrëdhënia e trazuar dhe e dokumentuar e Bacon dhe Freud e mbush portretin me një shtresë tjetër kompleksiteti dhe vlere.

Dyshja u takua në vitin 1944 dhe thuhej se ishin të pandashëm deri në vitet 1980, kur rivaliteti profesional e mposhti miqësinë.

Disa regjistrime në kasetë të ndara me gazetën britanike “The Observer” në vitin 2018 zbuluan se Bacon tallte hapur aftësinë e Freud-it.

Prandaj dhe “Study for Portrait of Lucian Freud”, që është me natyrë më melankolike, është kthyer në simbol të miqësisë së humbur.

“Francis ishte pa dyshim dikush që ai e adhuronte. Dhe nuk kishte shumë njerëz, për të cilët babai im fliste në atë mënyrë”, ka treguar Bella Freud, vajza e Lucien Freud.

“Gjërat që ai përsëriste për të ishin jashtëzakonisht të mrekullueshme. Mendoj se atij duhet t’i ketë munguar kur ai pushoi së qeni miqësor me të”, ka shtuar ajo.

Bacon njihet si një lojtar i madh në ankande, me punën e tij që shpesh thyen parashikimet.

Në vitin 2020, pjesa e tij e vitit 1981 me titull “Triptych Inspired by the Oresteia of Aeschylus” u shit për 84 milionë dollarë, duke tejkaluar vlerësimin fillestar prej 60 deri në 80 milionë dollarësh.

Thuajse dhjetë vjet më parë, në vitin 2013, një tjetër triptik i Lucien Freud nga viti 1969 u shit për 142 milionë dollarë në vetëm gjashtë minuta.

Po ashtu, rrëmbeu titullin e veprës artistike më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në ankand.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore