Lajme

Porto Riko shpall gjendjen e jashtëzakonshme


Porto Riko ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo vjen pas dhunës dhe vrasjeve të kryera ndaj grave dhe transgjinorëve.

Guvernatori, Pedro Pierluisi, i cili u betua në fillim të këtij muaji, njoftoi hartimin e një urdhëri ekzekutiv.  Ai do të synoje parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore.

Sipas njoftimit për shtyp, Pierluisi, ka miratuar hartimin e një numri programesh ndihmuese.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 30 qershor 2022.

“Dhuna gjinore është një e keqe e shoqërisë, e bazuar në injorancë dhe qëndrime që nuk mund të kenë hapësirë ​​ose tolerancë në Porto Riko”, tha Pierluisi në një deklaratë.

“Për një kohë të gjatë njerëzit kanë vuajtur pasojat e pabarazisë, diskriminimit, mungesës së arsimit, mungesës së udhëzimit dhe mbi të gjitha mungesës së veprimit”, shtoi ai.

Urdhri ekzekutiv është arritja më e madhe e aktivistëve dhe organizatave kundër kësaj dhune,

Historiku i dhunës

Të paktën 60 vrasje u raportuan në Porto Riko në vitin 2020, sipas grupit lokal Observatori i Barazisë Gjinore.

“Kjo përfshin gjashtë vrasje të transgjinorëve dhe 26 raste ende nën hetim ose që ka mungesë informacioni”, raporton organizata.

Policia e Porto Rikos ka raportuar se 5 mijë e 517 gra ishin viktima të dhunës në familje vitin e kaluar.

Ndër iniciativat e paraqitura në urdhrin ekzekutiv, është një komitet i ngarkuar për të siguruar arsimim, mbështetje dhe shpëtim rreth dhunës gjinore.

Ky komitet do të përbëhet nga 17 anëtarë, tre prej të cilëve do të jenë përfaqësues të organizatave që punojnë në çështjet e dhunës gjinore.

Guvernatori urdhëroi gjithashtu ndërtimin e një aplikacioni përmes së cilit viktimat e dhunës gjinore, mund të kërkojnë ndihmë emergjente pa ngjallur dyshime nga agresorët e tyre./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore