Kosova

Populizmi i Kurtit me vaksinat kineze


Vaksina kineze Sinovac

Refuzimi i Qeverisë së Kosovës që mësimdhënësit kosovarë të vaksinohen me vaksina kineze Sinovac në Kukës, ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Imet Rrahmani po e quan populizëm.

Ai në një prononcim për Albanian Post tha se “fatkeqësisht shumëçka është politizuar, për fatin e keq të popullatës është politizuar edhe pandemia”.

“Refuzimi i vaksinave me arrestimin se janë të Kinës, pa e dhënë një arsyetim tjetër shkencor është thjeshtë popullzim. Në shtëpitë tona gjysmë e pasjeve i kemi kineze edhe prej vendeve që nuk na kanë njohur”.

Sipas tij “duhet me dhënë arsyetim shkencor pse duhet refuzuar vaksinat kineze, përndryshe arsyetimi që ka qenë i paqëndrueshëm”.

“Refuzimi i vaksinës duhet të bëhet mbi bazën e arsyetimeve shkencore që japin ekspertët e assesi që ky shtet nuk na njohur e nuk e marrim. Kosova nuk ka mundësi me zgjedh shumë si vendet e tjera”, ka shtuar ai.

Ndërkohë në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, thonë se nuk pranojnë të marrin vaksina që nuk i pranon populli i Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, theksoi se “ne veç kemi bërë apel që Qeveria të na ketë si prioritet”.

“Për çështjet e vaksinave në Shqipëri nuk folëm shumë sepse është një çështje që është mes dy shteteve, ne insistuam që cila do zgjedhje të bëhet për Kosovën të jemi prioritet për vaksinim, pasi një pjesë e personelit shëndetësor janë vaksinuar”.

“Ne jemi shtetas të Kosovës dhe ne pranojmë vaksinat vetëm ato që i konsideron shteti ynë që janë të pranueshme dhe ato vaksina që i pranon populli i pranojmë edh ne”, potencoi Jasharaj.

Megjithatë, vaksina kineze Sinovac ende nuk është licencuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ajo është ende në fazën e testimit”, thotë Skender Syla nga OBSH-ja për Albanian Post.

“Jemi në fazën e rishqyrtimit. Pritet vendimi gjatë këtij muaji”.

Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, thotë se këto vaksina ende nuk janë licencuar as nga  Agjencia e Barnave.

“Tashmë disa COVID vaksina janë në përdorim në rang botëror dhe në rajon, megjithatë në nivel të BE dhe SHBA jo të gjitha këto janë të regjistruara nga Agjencitë e Barnave. Pa paragjykuar cilësinë dhe efikasitetin e tyre Kosova nuk duhet të blerë dhe përdorë COVID vaksinat të cilat nuk janë të regjistruara në nivel të Agjencive strikte të barnave në BE, FDA Amerikane”, sqaroi Jakupi.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka refuzuar vaksimin e mësimdhënësve në Kukës me vaksinën kineze Sinovac.

Si rrjedhojë, vaksinimi i tyre është shtyrë derisa Shqipëria të pranoj doza të tjera nga AstraZeneca apo Pfihzer.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk njihet nga Rusia e Kina andaj janë skeptik ndaj ndihmës së tyre.

Megjithëkëtë, Qeveria Kurti 1 kishte pranuar 1000 mijë teste për COVID-19 nga Serbia, të cilat ishin cilësuar si të kontrabanduara pasi nuk kishin kaluar Doganën e Kosovës.

Atëkohë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “donacioni i testeve për COVID nga ana e Serbisë është gjest që nuk duhet të politizohet”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore