Shqipëria

Pompeo vlerëson miqësinë Shqipëri-SHBA: Do t’ju ndihmojmë të zhdukni korrupsionin


Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 100-vjetorit të stabilizimit të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-Shqipëri, ka zhvilluar një vizitë në vendin tonë, të hënën e 16 majit.

Gjatë takimit, ai ka vlerësuar miqësinë e fortë, ndërsa ka theksuar se SHBA-të do ta ndihmojnë Shqipërinë të zhdukë korrupsionin.

“Duhet vullnet i mirë për të shkulur korrupsionin dhe për të konsoliduar demokracinë”, përkufizoi Pompeo. “Nuk ka rëndësi se cili është në pushtet, por e rëndësishme është të zhbëhet korrupsioni dhe konsolidohet liria e demokracia”.

Një vlerësim i lartë i ish-kryediplomatit amerikan shkoi edhe për angazhimin e Shqipërisë në organizatën ushtarake të NATO-s, pasi edhe ai vetë ka qenë pjesë e strukturës, ku ka shërbyer si ushtar.

Mbi të gjitha, kjo marrëdhënie duhet të forcohet edhe më shumë në kushtet e agresionit rus në Ukrainë.

“Tani po shohim në Ukrainë që edhe pas Luftës duhet ta ndihmojmë të rindërtohet. Kjo është diçka që ne do të punojmë së bashku”, ravijëzoi Pompeo.

Një punë e mirë, sipas tij, është bërë edhe sa i përket luftës kundër terrorizmit.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Pompeo u shpreh i bindur se 100 vjet të tjera e presin miqësinë e SHBA-ve me Shqipërinë.

Ndërsa, me nota humori, ai tha se shpreson që, me rastin e përvjetorit të 125-të, ta ftojnë sërish në Tiranë për të festuar.

Një fjalë të rastit e mbajti edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, të cilën e ka caktuar në post pikërisht Pompeo.

“Gjithçka nisi kur sekretari Baker, tha: Liria jep rezultat”.

Kështu e përkujtoi Kim vizitën e parë të pas-demokracisë nga ana e një Sekretari Amerikan të Shtetit në Shqipëri.

Më tej, ajo ravijëzoi se SHBA-të janë të vendosura të punojnë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri dhe për të ndihmuar vendin me integrimin evropian.

Teksa, në mbyllje, përmblodhi thjesht me një fjali gjithë miqësinë mes dy vendeve.

“Gjatë 30 viteve të fundit, s’mund të kishim kërkuar një mik dhe një partner më të mirë se sa Shqipëria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore