Lajme

Politikanët maqedonas duhet ta mbrojnë gjuhën shqipe, thotë Osmani


Bujar Osmani

“Ashtu siç unë mbroj gjuhën maqedonase, politikanët maqedonas duhet ta mbrojnë gjuhën shqipe në Kushtetutë”.

Kështu ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë një konference për media, kur iu përgjigj pyetjes së gazetarit lidhur me kërkesën e shqiptarëve për ta hequr nga Kushtetuta formulimin “gjuha e folur nga më shumë se 20 për qind” dhe të shkruhet vetëm gjuha shqipe.

“Nuk mendoj se kjo duhet të jetë një agjendë etnike shqiptare, të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe t’i shqyrtojnë këto çështje. Nuk kam hasur në rezistencë nga VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja për ndryshimin e ‘20 për qindëshit’, atëherë pse kjo të kthehet në garë apo armiqësi mes partive politike të palës maqedonase”, ka theksuar Osmani.

Diplomati shqiptar nënvizoi se është gabim që të kushtëzohet rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut me ndonjë kërkesë tjetër.

“Interesi i partive shqiptare nuk mund të jetë në kundërshtim me interesin e integrimit në BE”, vlerësoi ai duke shtuar se një gjë e tillë “paraqet një gabim strategjik dhe shumë të dëmshëm nëse dikush do të përpiqet të kushtëzojë integrimin evropian me ndonjë çështje tjetër, qoftë edhe në bazë etnike”.

Mirëpo, Osmani ka pohuar se ka ardhur koha që të korrigjohet kjo çështje sepse siç ka vërejtur ai “në atë kohë mund të mos ishte sensibilizuar opinioni, por tani situata është ndryshe, njerëzit tashmë e kanë kuptuar se kjo lloj rezistence e komunitetit maqedonas në atë kohë ishte e panevojshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore