Lajme

Politikanët kosovarë i gëzohen letrës së Biden drejtuar Serbisë për njohje të Kosovës


“Nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën”.

Kështu e ka shprehur gëzimin e tij kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas letrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden drejtuar atij të Serbisë për njohje të Kosovës.

Ai në një status në Facebook, ka shkruar se Kosova vazhdon të mbetet prioritet në agjendën e SHBA-ve.

“Letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve”.

Hoti e ka përmendur edhe një fjali që sipas tij shpesh e përmendte ish-presidenti kosovar Ibrahim Rugova.

“Thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq”, ka shkruar Hoti.

Për kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, “ngritja e Amerikës gjithmonë ka nënkuptuar ngritjen edhe të Kosovës”.

Prandaj, ish-ministri i punëve të Jashtme të Kosovës thotë se është mirënjohës ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Edhe një herë përsëriti urgjencën e arritjes së marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse për njohje të ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Hoxha.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mirëpritur letrën e presidentit amerikan Biden.

Por ai ka edhe një kërkesë tjetër për Serbinë.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën, por jo me kushtin e heshtjes dhe me mohimin e gjenocidit”, ka shkruar Limaj.

Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka dërguar letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në ditën kombëtare të Serbisë dhe mes tjerash ia ka përmendur njohjen e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore