Lajme

Politika zero-COVID e Kinës rrezikon të shkaktojë krizë bujqësore


Në Kinë, kufizimet për COVID-in po përkeqësojnë mungesat serioze të plehrave kimikë, fuqisë punëtore dhe farave.

Kjo teksa shumë nga provincat më të mëdha bujqësore të vendit përgatiten për sezonin e tyre vendimtar të mbjelljes pranverore.

Gati një e treta e fermerëve në provincat verilindore Jilin, Liaoning dhe Heilongjiang kanë inpute të pamjaftueshme bujqësore pasi autoritetet i mbyllën fshatrat për të luftuar pandeminë.

Të tre provincat përbëjnë më shumë se 20 për qind të prodhimit të grurit të Kinës.

Sakaq, rënia e prodhimit mund të dëmtojë përpjekjet dekada të gjata të Pekin-it për të arritur vetëmjaftueshmërinë në ushqimet bazë.

Kjo e ka detyruar vendin të rrisë importet dhe potencialisht të shtojë inflacionin global të çmimeve të ushqimit.

Teksa vëmendja kombëtare dhe globale është përqendruar në mbylljen e Shangha-it për të gjithë popullsinë e saj gjatë javës së kaluar, provinca Jilin ka qenë duke luftuar një shpërthim me masa edhe më të rrepta për pjesën më të madhe të muajit të kaluar.

Referuar autoriteteve të vendit, një e treta e fermerëve të atjeshëm nuk kishin pleh të mjaftueshëm në fund të marsit.

Për këtë, fermerët kanë fajësuar politikën e pakompromis zero-COVID të Kinës, sipas së cilës autoritetet kanë miratuar kontrolle të ashpra duke filluar nga ndalimet e trafikut deri te mbylljet e bizneseve lokale.

Një këshilltar i qeverisë ka thënë se Kina rrezikon “të përballet me mungesa ushqimore”.

“Duhet të rregullojmë politikën zero-COVID për bujqësinë. Nuk duhet t’i japim përparësi kontrollit të virusit mbi gjithçka tjetër. Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë”, ka vijuar ai.

Li Qinghua, një fermer 38-vjeçar që kultivon oriz në 60 hektarë tokë në qytetin Jilin, ka treguar se inventari i tij i plehrave kimikë  ishte më shumë se 80 për qind nën nivelet normale pasi dorëzimi u vonua.

“Do të humbas kohën më të mirë për të mbjellë fara nëse porosia ime nuk arrin javën e ardhshme”, ka thënë Li.

Edhe fabrikat e plehrave kimikë janë duke luftuar.

Një ekzekutiv i prodhuesit kryesor në provincën Hebei, ka treguar se firma e tij ka “shumë vështirësi” në transportin te klientët dhe sigurimin e lëndëve të para.

Ai ka thënë se problemi është i gjithë industrisë pasi shumë prodhues më të vegjël kanë pezulluar operacionet.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore