Shqipëria

Politika shqiptare solidarizohet me Kroacinë


Tërmeti i fuqishëm që goditi Kroacinë ditën e sotme ka bërë bashkë politikën shqiptare, duke u solidarizuar me fatkeqësinë natyrore që preku fqinjët.

Kryeministri, Edi Rama, ka shkruar në Twitter se ka përcjellë solidaritetin vëllazëror mbi fatkeqësinë që goditi qytetin Petrinja. “Shqipëria i është pranë me zemër Kroacisë mike e do të japë ndihmën e saj modeste për shërimin e plagës së hapur nga tërmeti i fortë”, shkruan Rama.

Ndërkohë presidenti Ilir Meta, është shprehur i trishtuar nga tërmeti i rëndë. “Solidaritet njerëzor me popullin dhe autoritetet kroate”, shkruan Meta. “Pranë Kroacisë, me të gjitha kapacitetet tona të mundshme, si partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur solidaritetin nëpërmjet një letre kryeparlamentarit kroat, Gordan Jandroković. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju shpreh solidaritetin dhe mbështetjen për përballimin e pasojave të tërmetit të 29 dhjetorit”, shkruan Ruçi.

“Shpreh bindjen se populli mik kroat do t’i përballojë me sukses vështirësitë e krijuara ”, përmbyll Ruçi.

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu trishtimin e tij për ngjarjen në Twitter. “Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Ne solidarizohemi me popullin dhe shtetin kroat”, shkruan Basha.

Tërmeti që goditi Kroacinë ishte i një magnitude 6.4 ballë i shkallës Rihter. Deri në këto çaste, shtatë njerëz janë gjetur të vdekur./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore