Lajme

“Politika e dyerve të hapura” – Kosova do të përfshihet në raportin e NATO-s


Driton Hyseni

Një delegacion i deputetëve të Kosovës, kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, është duke qëndruar në ditën e dytë të punimeve të sesionit pranveror të Asamblesë së Parlamentare të NATO-s.

Në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se delegacioni kosovar ka pasur takime me delegacionin e Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Danimarkës, Gjermanisë, Sllovakisë, si dhe me delegacionet e Holandës e Finlandës.

“Temat e diskutimit përfshinin kërkim-mbështetjen e Kosovës në proceset e përfshirjes sa më të madhe të delegacionit te Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe ne institucionet e organizatat tjera ndërkombëtare”.

“Gjithashtu, në sesionin e Komisionit për Politikë, Driton Hyseni ngriti çështjen e përfshirjes në mënyrë specifike të Kosovës në raportin e Audronius Azubalis  ‘E ardhmja e politikës së dyerve të hapura të NATO-s’, ku përfshihen vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Në komunikatën e Kuvendit të Kosovës, ndër të tjera thuhet se pas diskutimit të kryetarit të delegacionit të legjislativit kosovar, raportuesi Audronius Azubalis e pranoi se do të bëjë përfshirjen e Kosovës në raportin e këtij viti.

Ndër temat tjera të diskutimeve ishin edhe avancimi i përfshirjes së Kosovës në institucionet euro-atlantike, si dhe hapat që po bëjnë Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Kosovës drejt përmbushjes së standardeve të NATO-s në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, i cili thotë se anëtarësimi është i hapur për çdo shtet evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore