Lajme

Policisë – përsëri – u rrodhi informacioni për aksionin në Veri të Kosovës


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut është shprehur se ka pasur rrjedhje të informacionit zyrtar për njërin nga lokacionet e targetuara.

“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Duke shtuar se aksioni i PK-së ka përfunduar pa ndonjë incident.

“Policia e Kosovës në mbështetje të veprimtarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç‘rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente”.

Dogana e Kosovës.

Sveçla, bëri thirrje tek qytetarët që të kontribuojnë në ndalimin e veprimtarive joligjore.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë”.

Dogana e Republikës së Kosovës në orët e mëngjesit të shtunës së 25 dhjetorit ka zhvilluar një aksion kontrolli në tri lokacione në Veri të Kosovës, kundër kontrabandës me mallra.

Ky aksion i Doganës është asistuar nga Policia e Kosovës.

Dogana në një njoftim në rrjetin social Facebook ka thënë se ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupçe dhe një tjetër në fshatin Uglar.

“Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangje të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”.

Në mëngjesin e 13 tetorit në Veri të Mitrovicës, Dogana dhe Policia e Kosovës kishin filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Mirëpo, ky aksion ishte penguar të zhvillohet në disa lokacione në Veri nga ana e serbëve lokal, të cilët kishin penguar dhe sulmuar zyrtarët shtetëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore