Shqipëria

Policia shton kontrollet e vijës bregdetare në nisje të sezonit veror


Me nisjen zyrtare të sezonit veror, autoritetet shqiptare kanë nisur evidentimin e problematikave të mjeteve lundruese përgjatë vijës bregdetare.

Gjatë të dielës është bllokuar një skaf nga Policia në Ksamil pasi drejtuesi i tij lundronte pa dokumentet përkatëse, duke e ndëshkuar me 10 mijë lekë gjobë.

Mjetet lundruese do të vijojnë të jenë të bllokuar deri në pagesën e gjobës dhe plotësimin e dokumenteve.

Kontrolle intensive janë bërë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe liqenore nga Saranda në Shkodër.

Kjo, në kuadër të rritjes së sigurisë detare, zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit, nga drejtuesit e mjeteve lundruese, si dhe të parandalimit dhe goditjes së krimeve kufitare.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave, të hartuar për forcimin e kontrolleve ndaj mjeteve lundruese për peshkim dhe atyre turistike, për të verifikuar ligjshmërinë e posedimit dhe drejtimit të këtyre mjeteve nga shtetas të ndryshëm, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë vijën bregdetare, vëren njoftimi i Policisë.

Si rezultat i kontrolleve përgjatë vijës bregdetare, nga Saranda deri në Velipojë, shërbimet e Policisë Kufitare bllokuan më herët katër mjete lundruese (skafe), si dhe kanë ndëshkuar me masa administrative nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë të rinj, drejtuesit e tyre, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar një skaf me motorë të fuqishëm.

Konkretisht, në Sarandë dhe në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar tre mjete lundruese dhe ka ndëshkuar me masë administrative, nga 10 mijë lekë të rinj secili, drejtuesit e këtyre mjeteve, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Në Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare bllokuan një mjet lundrues dhe ndëshkuan me masë administrative 20 mijë lekë të rinj, drejtuesin e tij, gjithashtu për mungesë dokumentacioni.

Në liqenin e Shkodrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar një mjet lundrues skaf me dy motorë të fuqishëm që dyshohet se mund të përdorej për trafiqe të paligjshme.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro bëri me dije gjatë vitit të kaluar nisjen e aplikimeve për stacionet e ankorimit për mjetet lundruese.

“Një vendim tjetër i qeverisë ka të bëjë me sezonin e ardhshëm veror. Kaluam vendimin për disa ndryshime në rregulloren e menaxhimin e stacioneve të plazhit sepse nuk do të mendojmë për plazhin kur mendojnë pushuesit, por më parë për të marrë të gjitha masat që sezoni i ardhshëm të jetë edhe më i mirë se ky që kaluam”, tha Kumbaro më 10 tetor të vitit 2022 pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Vitin e kaluar, një vajzë 7-vjeçare humbi jetën në një aksident me skaf teksa ishte me pushime me prindërit e saj në Shqipëri.

Jonada Avdia ishte duke luajtur në det në jug të vendit kur u plagos për vdekje kur një polic jashtë detyrës, Arjan Tase, kaloi me një skaf në një zonë që ishte e ndarë vetëm për notarët.

Jonada u godit nga tehet rrotulluese të helikës së varkës, të cilat “shkaktuan lëndime serioze që çuan në humbje të menjëhershme të jetës”, sipas policisë lokale.

Tase më pas u arrestua u hetua për vrasje nga pakujdesia. 15 oficerë të tjerë policie, të cilët ishin menduar të ruanin ujin në atë kohë, u pushuan nga puna.

Incidenti tragjik ngjalli protesta kundër policisë në të gjithë vendin, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, kreut të policisë dhe ministres së Turizmit si pasojë e vdekjes së Jonadës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore