Lajme

Policia ruse bastis shtëpinë e gazetarit të shquar Roman Anin


Policia ruse ka ndaluar dhe ka marrë në pyetje për pak kohë gazetarin hulumtues, Roman Anin, të premten e 9 prillit, rreth një hetimi kriminal.

Veprimi i policisë dyshohet se ishte i motivuar nga hakmarrja rreth hetimeve të tij ndaj elitës së Kremlin-it.

Hetuesit të premten kontrolluan apartamentin e Anin në Moskë dhe sekuestruan telefona dhe pajisje të tjera elektronike dhe dokumente.

Anin, themeluesi i iStories dhe një nga reporterët rus që punoi në hetimet e Panama Papers, u dërgua më pas në një stacion policie për t’u marrë në pyetje.

Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke u bazuarr në të drejtën e tij për të mos dëshmuar. Ai është thirrur për pyetje përsëri të hënën.

Çështja është e lidhur me hetimin e Anin në vitin 2016, për një aleat të ngushtë të Vladimir Putin-it, gruaja e të cilit, shkroi ai, dukej se po përdorte një super-jaht të vlerësuar se kushtonte më shumë se 100 milionë dollarë (73 milion £).

Gazeta që botoi artikullin me titull “Sekreti i Princeshës Olga”, u padit me sukses në një gjykatë ruse nga kreu i Rosneft, Igor Sechin, i cili tha se artikulli kishte dëmtuar reputacionin e tij.

Ky dukej se ishte fundi i historisë. Por policia muajin e kaluar papritmas rinisi një hetim penal  për shkelje të privatësisë.

Anin është një nga disa reporterë hulumtues rus, që ka përdorur dokumente të rrjedhura për të zbuluar punët e brendshme të Kremlin-it dhe atyre që janë pranë Putinit.

Vitin e kaluar, iStories publikoi disa email-e të dërguara dhe të marra nga ish-dhëndri i Putin-it, duke ekspozuar stilin e jetës së pasur të shijuar nga një prej vajzave të Putin-it.

Muajin e kaluar, iStories publikoi një artikull që paraqiste lidhjen midis një komandanti të lartë të Shërbimit Federal të Sigurisë me botën e krimit.

Bordi redaktues i Novaya Gazeta, gazeta që botoi artikullin në vitin 2016, shkroi se Anin ishte në shënjestër për hetime të shumta penale.

“Gjithçka që po ndodh tani me Roman Anin është hakmarrje”, shkroi gazeta.

Anin u lirua nga paraburgimi i policisë të premten në mbrëmje.

Anin tha se hetuesit kishin “marrë gjithçka. Ata morën të gjitha dokumentat, të gjithë kompjuterët, duke përfshirë edhe ata që nuk ishin të mitë. Ata morën telefona që nuk më përkisnin mua”.

Ai gjithashtu konfirmoi se çështja ishte e lidhur me historinë e super-jahteve, duke shtuar se ajo ishte bazuar tërësisht në fotografitë publike të disponueshme në Instagram.

Kolegët nga organizatat raportuese ruse dhe ndërkombëtare kanë lëshuar deklarata në mbështetje të Anin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore